Pendarovski në sesionin e KB-së: Pandemia kërkon përgjigje sistematike

Pandemia si kërcënim sistemor kërkon përgjigje sistematike. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar sisteme shëndetësore të forta, të menaxhuara mirë, të përgjegjshme, llogaridhënëse me fokus njeriun, porositi presidenti Stevo Pendarovski në sesionin special të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kushtuar pandemisë së Kovid-19 që u mbajt mbrëmë sipas kohës së Evropës Qendrore.

Marketing

“Pandemia me KOVID-19 edhe më tej mbetet rreziku më i madh për njerëzimin. Familjet kanë humbur anëtarë të dashur, kurse komunitetet vërtetë janë lëkundur. Kjo krizë shëndetësore është përhapur në sektorë të tjerë të shoqërive tona, ku ekonomitë tona pësojnë humbje veçanërisht të mëdha. Me dimensionet e saj shëndetësore, ekonomike, sociale, humanitare dhe të sigurisë, pandemia ka testuar vendet tona në mënyra të papara dhe na kujtoi se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin. Me vuajtjet që shkakton, pandemia ka ekspozuar dobësitë sistematike dhe pabarazitë në botën tonë”, tha Pendarovski.

Duke u përqendruar në situatën dhe masat që po ndërmerren për të parandaluar përhapjen e virusit në vend, Pendarovski tha se është shpallur gjendje krize në të gjithë vendin në afat prej 30 ditëve në mënyrë që të ndihmohet sistemi shëndetësor dhe të shpëtohen sa më shumë jetë njerëzore.

“Ky rrezik i madh gjithashtu ka hapur mundësinë që vendet dhe popujt tanë të demonstrojnë unitet, solidaritet dhe bashkëpunim shumëpalësh. Në emër të popullit maqedonas, do të doja të falënderojë Kombet e Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë për udhëzimet e tyre në koordinimin e përgjigjes globale për të kontrolluar dhe kufizuar përhapjen e KOVID-19. Ne gjithashtu jemi mirënjohës të gjitha vendeve dhe organizatave që na mbështetën me pajisje mjekësore, materiale dhe këmbimin e njohurive dhe përvojave”, tha Pendarovski.

Vlerësoi se shumë sfida do të mbesin edhe në periudhën pas KOVID-it. “Rruga drejt rimëkëmbjes socio-ekonomike, madje edhe mendore do të jetë e gjatë dhe e komplikuar për shumicën prej nesh. Njerëzimi duhet të rimëkëmbet në mënyrë që të rinovojë botën në të cilën asnjë qenie njerëzore nuk do të anashkalohet”, theksoi Pendarovski në fund të fjalimit të tij.

Në sesionin, që po mbahet si pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë më shumë se 150 krerë të shteteve, qeverive dhe ministra.