Pendarovski: Nuk diskutohet për identitetin dhe gjuhën, kjo do të ishte çmenduri!

Shtylla e identitetit tonë është gjuha jonë, pastaj historia, historia e përbashkët me bashkatdhetarët tanë, tha presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për “Euobserver”.

Marketing

Sipas Pendarovskit, nuk është sekret që gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, por është një gjuhë e veçantë, e ngjashme me bullgarishten, por “nuk është dhe nuk ka qenë gjuhë bullgare”, transmeton Alsat.

“Kodifikimi u realizua në fund të Luftës së Dytë Botërore kur u formua Republika Popullore e Maqedonisë si pjesë e Jugosllavisë. Më parë, territori ka qenë nën pushtetin e Bullgarisë, Serbisë dhe në të kaluarën nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Edhe përkundër kësaj, njerëzit që kanë jetuar në këto vende gjithmonë kanë pasur identitetin e tyre etnik”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit Pendarovski, pretendimi i Bullgarisë se e gjithë historia jonë deri në 1945 ka qenë bullgare dhe se gjithçka, nga shekulli i 10-të deri në vitin 1945 ka qenë bullgare, është e pakuptimtë.

Lidhur me qëndrimin bullgar se “gjuha dhe identiteti maqedonas nuk ekzistonin deri më 2 shtator 1944 dhe se krijimi i tyre ishte pjesë e një formimi gjithëpërfshirës të një identiteti të veçantë jo-bullgar me qëllim të ndërprerjes së lidhjeve midis popullsisë lokale dhe Bullgarisë”, Pendarovski tha se “nuk mund të pranojmë diskutime në lidhje me këtë çështje … është e çmenduri”.

Sipas kërkesave bullgare, kur Maqedonia e Veriut do t`i bashkohet BE-së, çdo përmendje e “gjuhës maqedonase” në dokumentet e Bashkimit Evropian do të duhet të shënohet me një yll (fusnotë) që nënkupton se “një gjuhë e tillë ekziston vetëm sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Përveç kësaj, Sofja thotë se procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë inxhinierinë etnike dhe gjuhësore që ka ndodhur gjatë regjimeve të mëparshme autoritare.

Marketing