Pendarovski: Nuk do të dekretoj ligje nëse janë të dëmshme për bizneset

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka marrë pjesë në një takim pune me Odën Ekonomike të teknologjisë së informacionit MASIT, ku është njoftuar me problemet me të cilat përballen kompanitë e këtij sektori, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Përfaqësuesit nga MASIT dhe afaristë nga sektori i teknologjisë së informacionit (IT) fillimisht bënë prezantim të odës ekonomike, më pas folën rreth përparësive të sektorit dhe të sfidave me të cilat përballen në ekonominë reale.

Afaristët thanë se sektori IT ofron kushte shumë të volitshme për të punësuarit, që mund të krahasohen edhe me shtetet e Evropës Perëndimore. Në këtë mënyrë, ata theksuan se ndalojnë largimin e të rinjve nga shteti, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut ka potencial të madh për zhvillim të këtij sektori.
Presidenti Pendarovski u shpreh i gatshëm që të ndihmojë për problemet me të cilat përballen kompanitë e sektorit IT, duke theksuar nevojën për krijimin e një strategjie kombëtare. Ai gjithashtu u shpreh i gatshëm që të mos nënshkruajë ligjet e miratuara në Kuvend që prekin sektorin IT, nëse për një gjë të tillë ekzistojnë argumente bindëse.

“Çdoherë kur do të ketë propozim ligj, qoftë edhe në fazë fillestare, në Kuvend ose në Qeveri, do të kuptoni për të nga mediat apo në mënyrë tjetër, na alarmoni para se të miratohet që të mund edhe ne të theksojmë disa gjëra e veçanërisht nëse është në versionin final dhe i miratuar, e që nuk është i mirë për ju, më tregoni dhe unë nuk do ta nënshkruaj atë dekret, kuptohet, me argumente”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se anëtarësimi i vendit në NATO do të sjell garanci shtesë për bizneset, ndërsa në lidhje me bisedimet eventuale për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ai tha se është e patjetërsueshme që edhe bizneset të jenë pjesë e procesit negociues.

Presidenti Pendarovski rikujtoi se kompetencat e tija janë të kufizuara, por megjithatë tha se do të japë maksimumin për mbështetjen e bizneseve, për çka tha se edhe ka formuar një ekip në kuadër të kabinetit të tij që do të merret me çështje ekonomike.

Marketing