Pendarovski: Pa besim te institucionet, shteti nuk ka perspektivë

Besimi i qytetarëve në institucione ndërtohet dhe meritohet vetëm përmes politikës përgjegjëse dhe luftës pa kompromis me ata që i shkelin ato ligjet, pavarësisht nga funksioni dhe fuqia e tyre tha sot Presidenti dhe Komandanti i Përgjithshëm, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Ushtrisë. Sipas tij, nëse të gjithë nuk janë të barabartë para ligjit dhe nëse pushteti politik përdoret për të mirë personale dhe jo për të mirën publike, shteti  nuk ka perspektivë. Përpara mysafirëve të shumtë në ceremoninë solemne në Shkup, Pendarovski theksoi se pa besim te institucionet, vendi rrezikon sigurinë kombëtare.
”Krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë, që fatkeqësisht janë pjesë e jetës sonë të përditshme, minojnë  besimin e qytetarëve në institucione dhe shpresën për një jetë të mirë. Përgjegjësia më e rëndësishme e gjeneratës sonë politike është krijimi i një sistemi për trajtimin efektiv të krimit dhe korrupsionit. Jam thellësisht i bindur se trashëgimia jonë politike do të varet më së shumti nga suksesi i kësaj detyre. Historia nuk do të na falë nëse nuk jemi në anën e duhur edhe këtë herë, siç ishim në Luftën e Dytë Botërore,”  nënvizoi Pendarovski.
Për herë të parë, vendi feston Ditën e Ushtrisë si anëtar i NATO-s, tha kreu i shtetit dhe njoftoi si përparësi të mëtejshme investimin në forcat e armatosura dhe modernizimin e tyre. Ai pret të njëjtën gjë nga qeveria e re dhe parlamenti i ri.