Pendarovski sot ia jep mandatin Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev është i vendosur për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë, pasi që koalicioni i udhëhequr nga ai doli fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Marketing

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski bëri të ditur se sot në mesditë i dorëzon mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev

Nga kabineti i presidentit theksojnë se mandati do t’i ndahet partisë e cila ka fituar numrin më të madh të mandateve në Kuvend si dhe pas informimit nga ana e Zaevit për bisedime me më shumë parti, për sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvend.

“Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nesër më 13 gusht në orën 12:00, do t’ia dorëzojë mandatin kryetarit të LSDM-së dhe deputetit Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev, në emër të koalicionit ‘Mundemi’, i cili ka fituar numër më të madh të mandateve në Kuvend, e ka informuar presidentin Pendarovski për bisedimet me më shumë parti për sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvend për zgjedhje të Qeverisë”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Ky veprim i kreut të shtetit vjen pikërisht në ditën kur skadon afati 10 ditësh për ndarjen e mandatit, pas konstituimit të Kuvendit më 4 gusht, pavarësisht pretendimeve të ish kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili insiston se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar, derisa nuk ka kryeparlamentar të zgjedhur, dhe se në këtë rast mandati nuk mund të ndahet.

Sipas tij, një gjë e tillë do të rrezikonte futjen në krizë kushtetuese-institucionale, pasi sipas tij, në mungesë të kryeparlamentarit, presidenti i shtetit nuk ka kënd ta informojë.

Megjithatë njohës të cështjeve juridike dhe kushtetuese, por edhe nga kabineti i presidentit kanë theksuar se nuk ka asnjë shkelje dhe se procedura është e rregullt.

Marketing