Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot e priti ambasadorin e Republikës së Polonisë, Vojçec Ticinsky.

Siç njoftojnë nga kabineti i Pendarovskit, ata shprehën kënaqësi për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, i cili karakterizohet nga një miqësi e sinqertë, respekt i ndërsjellë dhe besim.

Presidenti theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson lartë mbështetjen dhe ndihmën e qartë nga Polonia për marrjen e datës për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, duke theksuar se vetëm një rajon i integruar mund të jetë i qëndrueshëm dhe i begatë. Të dy bashkëbiseduesit konkluduan se në të ardhmen duhet t’i kushtohet vëmendje nxitjes së marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ambasadori Ticinsky përgëzoi Presidentin Pendarovski me rastin e marrjes së detyrës dhe i uroi atij sukses në kryerjen e detyrave të tij./