Pensionet e mërgimtarëve, Tusha: Provizioni prej 8% i pa pranueshëm

Para dy muajve bankat kanë filluar të ndalin provizion deri 8% për valutën, e frangës zviceriane. Kjo gjë ka shkaktuar shqetësime tek pensionistët shqiptarë të Zvicrës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Sami Tusha është një ndër pensionistët, i cili mbi 20 vite jeton në Maqedoni. Ai thotë se ka zgjedhur që paratë e tij ti harxhojë në vendlindje, por për të është e papranueshme marrja e taksës. Nëse vazhdon një praktikë e tillë, Tusha thotë se do të detyrohet të largohet nga vendlindja.

“Nuk e di se kush i ka nxjerrë këtë sistem, por me keqardhje e them, se i taksojnë pensionistët dhe gurbetçarët që vijnë dhe investojnë në vendilindje. Unë përafërsisht e di se janë diku 8 mijë pensionistë shqiptar që marrin pensionin prej Zvicre” – thotë Sami Tusha, mërgimtarë, pensionist në Zvicër.
Sipas Tushës, shteti nga kjo kategori e pensionistëve dhe nga mërgimtarët në përgjithësi përfiton afërsisht 1miliardë e 150 milionë euro, dhe është kundër aplikimit të një ligji të tillë.

TVM2 mëson se nuk bëhet fjalë për ligj të miratuar, por për rregullore të sjellur nga vetë bankat. Në sqarimin nga Banka Komerciale, thuhet se provizioni është vendosur për shkak të shpenzimeve të mëdha bankare që shkaktohen nga franga zviceriane.

“Banka ka sjellur provizion për kryerjen e llogarive bankare në valutën franga, dhe ka ndaluar hapjen e depozitave të kursimit në franga, si rezultat i shpenzimeve të mëdha që kjo valutë ia sjell bankës. Konkretisht, në përputhje me lëvizjet e tregut mjetet e kursyesve në franga ruhen në bankat e huaja dhe shkaktojnë shpenzime të mëdha për bankën, e cila ngarkohet nga bankat e huaja”, thuhet në kominikatën e Bankës Komerciale.