Pensionistët 25-vjeçarë!

Pagat më të ulëta në Europë dhe rajon, rendja drejt emigrimit dhe të ardhurat që marrin nga të afërmit jashtë, duket se i mbajnë qytetarët e Maqedonisë me dëshirë jashtë tregut të punës. Më shumë se 29 për qind popullsisë në moshë pune (15-64 vjeç) nuk ishte ekonomikisht aktive gjatë vitit 2018, çka do të thotë se kjo kategori nuk është në kërkim të një pune. Më të dekurajuar janë meshkujt. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), struktura e popullsisë jashtë forcave të punës është e dominuar nga studentët dhe të rinjtë me 32.7 për qind. Në këtë grup-moshë, pjesa që zënë personat e papunë e të cilët nuk po kërkojnë punë për arsye se besojnë se nuk ka punë të disponueshme dhe të paguar mirë, është 8.7 për qind.

Marketing

Nga popullsia në moshë pune, gati 12 për qind e popullsisë joaktive në tregun janë në “pension të parakohshëm”, ndërsa 10 për qind janë në paaftësi të përhershme për të përballuar një punë, ndërsa 10 për qind tjetër janë larguar nga tregu i punës për arsye të shumëfishta. Ndër popullsinë e grave të moshës 15-64 vjeç ekonomikisht joaktive, 30.8 për qind e tyre janë duke përmbushur detyrat shtëpiake, ndërsa tek burrat e kësaj kategorie kjo përqindje është 1.6 për qind. Mendimi për të braktisur vendin është njëra nga arsyet kryesore që të rinjtë regjistrohen si të papunë fiktivë, e pasuar nga pagat e ulët në sektorin privat. Gjithashtu, edhe mungesa e kualifikimit, apo një zanati në pajtim me tregun e punës është arsye pse të rinjtë nuk i paraqiten thirrjeve për punë të Agjencisë për Punësim.

Vitet e fundit popullsia në moshe punë ka rritur angazhimin për marrë pjesë në forcën e punës, por sërish përqindja jashtë tregut të punës është e lartë në raport me vendet e zhvilluara. Në vitin 2018, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28.6 për qind të të rinjve gjithsej. Në këtë grup, 36.6 për qind e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (11.7 për qind), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (22 për qind) ose për arsye të tjera (29.6 për qind).

Një punonjës në moshë pune (15-65 vjeç) në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan harxhon në dembelizëm të plotë 20-30 vite të jetës së tij. Përllogaritjen e ka bërë Banka Botërore në Raportin e rregullt Ekonomik për Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në rajonet e tjera ky tregues është më i ulët. Vitet e fundit pjesa e njerëzve që nuk dëshirojnë të punojnë ka rënë, por gjithsesi mbetet shumë e lartë. Madje, në Maqedoni dhe kryesisht në Kosovë, papunësia raportohet në rënie pikërisht për shkak se njerëzit nuk duan të punojnë dhe për rrjedhojë as nuk raportohen si të papunë. Por nga ana tjetër, tregjet e punës po përballen me mungesa. Maqedonia, Kosova dhe Serbia kanë raportuan mungesa më të mëdha në sektorin e teknologjisë dhe mungesë mjekësh krahasuar me Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndryshe, në Maqedoni, paga mesatare arrin në rreth 410 euro, apo më pak se në Mal të Zi me 765 euro, në Serbi me 644 euro, dhe në Kosovë me 528 euro. Vetëm Shqipëria regjistrohet pas Maqedonisë me pagë mesatare prej 400 euro. Edhe në shtet, ku evazioni është zero, sërish administrata publike, mjekët, mësuesit dhe policët janë më pak të paguarit. Paga mesatare në shtet (administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale) është 520 euro, rreth 530 euro në Kosovë, rreth 570 euro në Shqipëri, 760 euro në Serbi dhe më e larta në Mal të Zi me rreth 880. (koha.mk)

Marketing