Traditë, art, kulturë shqiptare, shtypi ditor i para shumë dekadave dhe një bibliotekë me më se 5000 tituj që datojnë që nga koha e ish sistemit e deri në ditët e sotme, ky është koleksioni personal i të moshuarit Iljaz Kamberit nga Shipkovica e malësisë së Sharrit. Grumbullimin e artefakteve dhe gjësendeve të tjera e ka filluar në Gjermani, në kohën kur ka qenë i përndjekur nga ish sistemi komunist kur për 13 vite nuk pati mundësi të kthehej në vendlindje.

Prej Perëndimit filloi çdo gjë, duke falënderuar edhe shoqërinë sepse e dini që i mbledh këto gjëra historike që janë dhe më ndihmonin. Këtu kam gjësende nga Çamëria, Turqia, Amerika, Presheva Mali i Zi kosova e Shqipëria nga gjithat janë këtu. Unë 40 vite kam mbledhur dhe tani si dola në pension kam filluar t`i nxjerri nga pakot ku i kam pasur, por një pjesë më ka mbetur në Hamburg të Gjermanisë dhe një pjesë në fshat ku banoj unë- thotë Iljaz Kamberi.

Ky muze i vogël por voluminoz për nga përmbajtja, është hapur një herë edhe në Hamburg të Gjermanisë. Xha Iljazi, me shumë krenari flet për mirëpritjen që i është bërë hapjes së muzeut atje, si nga shqiptarët po ashtu edhe nga gjermanët sepse ekspozita e tij, përmban materiale në gjuhën shqipe, gjermane dhe angleze.

Këtë muze një herë e kam ekspozuar një herë edhe në Hamburg për shqiptarët dhe mes tyre kanë ardhur edhe gjermanët. Kur na vizituan aty u habitën gjermanët, sepse aty organizuam edhe ushqim tradicional me kavalla dhe aty u habitën gjermanët- apelon ai.

Një pjesë e gjësendeve kanë mbetur akoma në Gjermani duke përfshirë edhe bibliotekën personale prej mijëra titujsh. Ëndërra e këtij të moshuari është që një ditë të ndërtojë një muze të madh ku do t’i grumbullojë gjitha sendet dhe të mund t`i ekspozoj për publikun.