Pentagoni: ballafaqim i” pasigurtë dhe joprofesional” me iranianët në Ngushticën e Hormuzit

Roja Bregdetare amerikane qëlloi dy raunde paralajmëruese në drejtim të një grup anijesh të shpejta iraniane, në një incident që Pentagoni e cilësoi si “ballafaqim i pasigurtë dhe joprofesional” në ngushticën e Hormuzit.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby e cilësoi incidentin e së hënës me një grup anijesh të Marinës Ushtarake të Gardës Revolucionare Iraniane “domethënës” duke marrë parasysh që u regjistrua në një zonë ku është e kufizuar lëvizja.

Sipas zëdhënësit Kirby, një grup me gjashtë anije, si dhe kryqëzori amerikan me raketa me preçizion USS Monterey, po shoqëronin nëndetësen amerikane USS Georgia nëpër ngushticë kur anijet iraniane u afruan “me shpejtësi të lartë, në një mënyrë agresive”.

Marketing

Anija Maui e Rojes Bregdetare amerikane qëlloi me artileri kur një mjet iranian ishte rreth 300 metra nga flotilja amerikane dhe qëlloi përsëri kur u afrua 140 metra larg. Më pas mjeti lundrues iranian u kthye pas.

Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që një anije amerikane qëllon të shtëna paralajmëruese pas një ballafaqimi me mjete lundruese iraniane që e ka komentuar si të pasigurtë.