Për siguri nuk mjaftojnë vetëm ligjet

Parandalimi i fatkeqësive të mundshme në procesin e punës, por edhe zbatimi i ligjeve në praktikë dhe jo mbetja e tyre shpesh në letër lidhur me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, mbeten sfidat kryesore të mbrojtjes së punëtorëve në vendin e punës. Në vitin e kaluar janë konstatuar lëndime në punë tek 1790 punëtorë, ndërsa pasoja fatale ka pasur për 23 punëtorë. Si sektorë më të rrezikshëm janë ndërtimtaria, bujqësia, industria përpunuese dhe xehetaria. Kjo ndër të tjerash u theksua në shënimin e 28 prillit si ditë ndërkombëtare e sigurisë dhe shëndetit në punë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Ligjet në Maqedoni për shëndetin në vendin e punës janë të mira, mirëpo ngec implementimi i tërësishëm i tyre si dhe i rregulloreve të ndryshme në praktikë. Njëherazi nevojitet që të gjithë së bashku të angazhohemi për kushte më të mira të punës dhe për rritjen e vetëdijes për këtë çështje”, thotë Milan Zhivkoviq nga zyra e Fondacionit Fridrih Ebert në Shkup.

Nga Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale thonë se trendi i lëndimeve në vendin e punës në shtet nuk është i ri por është konstant, megjithatë si ekzekutiv angazhohen për siguri dhe shëndet më të madh për punëtorët.
“Siguria dhe shëndeti i një punëtori kanë një rëndësi të madhe për të pasur punëtorët më produktiv. Punëtorët më produktiv nënkuptojnë edhe rritje ekonomike dhe zhvillim të shtetit, andaj në të ardhmen parandalimi i fatkeqësive në punë mbetet një nga prioritetet kryesore . Në këtë drejtim në vitin e kaluar Inspektorati i Punës ka kryer 12 mijë kontrolle prej të cilave 7000 kanë qenë të rregullta dhe 5000 kanë qenë pas parashtresave”, thotë ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Mila Carovska. Sipas saj, së shpejti do të dalë edhe raporti me parregullsitë më të mëdha të kësaj fushe, ndërsa përmes dialogut social me të gjitha palët do të punohet në anulimin e tyre.

Sipas ekspertes Jovanka Karaxhinovska nga Këshilli kombëtar për siguri dhe shëndet në punë, ndryshimi i mënyrës së jetesës apo punës si dhe globalizimi imponojnë edhe një qasje ndryshe ndaj mbrojtjes në vendin e punës.
“Prioritet dhe sfida në të ardhmen tek ne dhe në botë do të jenë ndër të tjerash edhe çështjet demografike dhe proceset e plakjes, puna në turme, ekonomia informale, puna e natës, hyrja e grave në tregun e punës, apo edhe fakti se në vend më shumë kemi raste të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare”, thotë Karaxhinska.
Sipas saj një vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet edhe ndryshimeve klimatike, përdorimit më të madhe të teknologjitë e reja, si dhe rreziqet lidhur me teknologjitë informatike dhe robotikën.

Ndryshe, analizat tregojnë se legjislacioni vendor për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës është i harmonizuar me legjislacionin evropian, megjithatë ajo çka mungon është krijimi i një sistemi unik dhe të vetëm për grumbullimin e të dhënave për lëndimet dhe fatkeqësitë në punës për shkak se institucione të ndryshme disponojnë me të dhëna të ndryshme. Kërkohet edhe përmirësimin e mëtejshëm të rregullativës ligjore. (koha.mk)