Për vendosje të masave të reja kundër koronës nevojiten ndryshime ligjore

Qeveria në mbledhjen e djeshme i shqyrtoi rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse për mbajtje të detyrueshme të maskave mbrojtëse në ambiente të hapura dhe për ndalesë për grupim nëpër shtëpi gjatë festave familjare dhe mbi katër personave në ambiente të hapura pas orës 22:00, me ç’rast konkludoi se për zbatimin e tyre do të jenë të domosdoshme ndryshime në Ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, dhe njëherit miratoi furnizim të vaksinave për KOVID-19.

Marketing

Siç ceket në kumtesën nga mbledhja qeveritare, Qeveria konkludoi se për vendosje të masave të reja restriktive që i propozoi Komisioni për sëmundje ngjitëse, është e domosdoshme të bëhen ndryshime adekuate në Ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, me çka do të sigurohet mundësi për implementimin e tyre me akte nënligjore qeveritare.

Komisioni për sëmundje ngjitëse javën e kaluar propozoi vendosje të masave për mbajtje të detyrueshme të maskave mbrojtëse apo pajisjes mbrojtëse çdokund gjatë qëndrimit në ambiente të hapura, në objekte publike, në vende të punës dhe në transportin publik, më pas për ndalesë të grupimit nëpër shtëpi, në festa familjare, me atë që në një vendbanim do të mund të pranohen deri katër persona, si dhe të mos lejohet grupimi i mbi katër personave në hapësira publike pas orës 22:00, përkatësisht të ndalohet grupimi nëpër parqe, sipërfaqe publike apo kudo qoftë në ambiente të hapura.

Krahas kësaj, Qeveria kërkoi nga Byroja për furnizime publike të propozojë mënyrë më adekuate për furnizim të vaksinave të sigurta dhe efektive kundër koronavirusit, të konfirmuara dhe të rregulluara nga Organizata botërore e shëndetësisë dhe e autorizoi ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe ta nënshkruajë Marrëveshjen për obligime të ndërmarra për furnizim të vaksinave për KOVID-19 përmes KOVAKS dhe në koordinim me Ministrinë e Financave dhe Sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë t’i sigurojnë mjetet e nevojshme financiare.

Vendimet e këtilla qeveritare pasojnë pasi që pas disa ditëve me numër treshifror të rasteve të reja me koronavirus, në 24-orëshin mes të hënës dhe të martës u regjistruan 80 raste të reja me Kovid-19, nga 680 teste të bëra. Në periudhën e cekur, në kushte spitalore vdiqën tre persona, përderisa Instituti për shëndet publik regjistroi 97 pacientë të shëruar.

Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Kovid-19 në vend prej fillimit të epidemisë paraqet 21.193, i të shëruarve 16.397, ndërsa i të vdekurve 800. Për momentin numri i rasteve aktive në vend paraqet 3.996, prej të cilëve rreth 45 për qind apo 1.802 janë nga Shkupi.

Dje u deklarua edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila informoi se përfundimisht me orën 12:00 gjatë ditës së djeshme, gjithsej janë regjistruar 42 raste aktive me KOVID-19 tek nxënësit dhe 65 tek mësimdhënësit. Prej tyre, 29 nxënës janë të arsimit fillor, ndërsa 13 të arsimit të mesëm, përderisa 47 mësimdhënës janë nga arsimi fillor dhe 18 nga arsimi i mesëm.

Deri në ditën e djeshme në vend gjithsej janë të hospitalizuar 432 persona pozitivë dhe të dyshuar për Kovid 19, prej të cilëve 95 në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Sipas drejtoreshës së Klinikës, Milena Stevanoviq, ky numër i të hospitalizuarve është pothuajse sa edhe kapaciteti i saj maksimal.

“Në ditët e fundit pranohen 13 deri 14 pacientë, ndërsa megjithëse në të njëjtën kohë çregjistrohen edhe pacientët që shërohen, ai raport nuk është i tillë që të mos parashikohet që për një kohë shumë të shkurtër kapaciteti i Klinikës do të plotësohet plotësisht dhe do të duhet të vendoset në funksion spitali i montuar, i cili është plotësisht i pajisur dhe i gatshëm për të pritur pacientët”, theksoi Stevanoviq gjatë pjesëmarrjes në emisionin e mbrëmshëm “Top Tema” në TV Tellma.

Ajo konsideron se mosrespektimi i masave parandaluese për mbrojtje nga Kovid-19 nga ana e qytetarëve dhe relaksimi i tyre në sjellje, tani është pasqyruar në numrin e infektuarve të rinj me koronavirus.

“Për mua si profesioniste, është e papranueshme në këtë epokë kur bota po digjet nga Kovid-19, të jetë i domosdoshëm kërcënimi nga ndëshkimi për ndonjë person të marrë masa të thjeshta për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tij. Kjo me të vërtetë nuk është e pranueshme për mua”, tha Stevanoviq.