Përfundoi afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 12 prillit

Deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) deri mbrëmë në mesnatë listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit i dorëzuan koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja dhe Besa, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja, E majta, Integra, PDSH-ja, Partia e punëtorëve, UDQ, Zëri për Maqedoninë, partia Demokratët, partia e re “Tvoja”, koalicioni “Asnjëherë e Veriut vetëm Maqedonia”…
Pritet KSHZ-ja sot të kumtojë se sa koalicione dhe parti kanë dorëzuar listat e kandidatëve dhe për sa njësi zgjedhore, si dhe a do të organizohet votimi në diasporë. Sa i përket votimit nga diaspora kjo varet nga numri i fletëparaqitjeve dhe situata me Kovid-19.

Marketing

Pjesa më e madhe e koalicioneve dhe partive politike, sipas paralajmërimeve nga shtabet e tyre, kanë dorëzuar listat e kandidatëve për të gjitha njësitë zgjedhore, përfshirë edhe diasporën.

Pas dorëzimit të listave të kandidatëve KSHZ-ja kontrollon se a janë dorëzuar në afatin e paraparë dhe a janë dorëzuar sipas Kodit Zgjedhor. Listat e kandidatëve që do të dorëzohen pas afatit do të hidhen poshtë.

KSHZ-ja gjithashtu kontrollon se vallë kandidatët e propozuar i përmbushin kushtet e parapara me Kushtetutë dhe nenin 7 paragrafi 2,3 dhe 4 nga Kodi Zgjedhor, përmes regjistrave adekuatë dhe evidencave të institucioneve përkatëse. Këto institucione janë të obliguara që në afat prej 24 orëve në mënyrë elektronike deri te KSHZ-ja t’i dorëzojnë të dhënat e kërkuara për kandidatët. Kjo është risi për Komisionin, që u vendos me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor.

Nëse konstatohet se listat janë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ato po konfirmohen më së voni 48 orë nga pranimi i dokumentacionit të kërkuar nga institucionet.
KSHZ-ja ka shpallur afate për mënjanimin e parregullsive eventuale ose zëvendësim të kandidatëve nëse kjo është e nevojshme. Listat të cilat do të dorëzohen pas afatit do të hidhen poshtë.

Renditja e listave të partive dhe koalicioneve në fletën e votimit përcaktohet me short dhe ai numër është i njëjtë në të gjitha njësitë zgjedhore. Shorti duhet të mbahet më së voni deri më 20 mars, ndërsa listat duhet të publikohen zyrtarisht më 21 mars.
Fushata zgjedhore fillon më 23 mars, ndërsa përfundon më 10 prill në mesnatë.