Përfundon ekspertiza, vijon hetimi për rrëzimin e avionit

Ekspertiza e aeroplanit i cili pardje u rrëzua në afërsi të vendit “Sollunska Gllava”, me ç’rast e humbën jetën piloti dhe familja e tij, përfundoi dje në vendin ku janë gjetur mbetjet e “cesnës” në 2,200 metra lartësi mbidetare, tha sot në konferencë për shtyp, kryetari i Komitetit për hetime të fatkeqësive ajrore dhe incidenteve serioze KINSIV, Zoran Ilievski.

Marketing

Ai informoi se mbetjet e aeroplanit do të ngriten menjëherë sa ta lejojnë atë kushtet kohore, e nëse do të ketë nevojë për ekspertizë të aeroplanit, tha se këtë do ta tregojë hetimi.

“Në vendin e ngjarjes kemi bërë mbi 400 fotografi profesionale dhe video incizime me dron profesional, gjë që është shumë me rëndësi për hetimet e mëtejshme”, sqaroi Ilievski.

Informoi se sot ka marrë vendim për formimin e Komisionit për hetim të fatkeqësisë, ku krahas tij dhe kolegëve nga Komiteti, Zoran Velkovski dhe Zoranço Mihajlov, do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm në sferën e aviacionit civil. Ai potencoi se është në kontakt me kolegun bullgar Hristo Hristov, i cili veçmë ka përcaktuar dy hetues, të cilët do të jenë në dispozicion të Komisionit në hetimin.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse piloti ka marrë leje për aterim në aeroportin e Shkupit, Ilievski tha se në përvojën e tij të deritanishme, nuk ka takuar diku dikë të kërkojë leje për aterim për ndonjë shkak, e nuk e ka marrë. Ai përkujtoi se dje edhe drejtori i M-NAV Nikollçe Taseski e ka demantuar atë dezinformatë se piloti nuk ka marrë leje për fluturim.

Iliveski tha se në mënyrë shtesë do të kërkohet informatë nga parashikimet e meteo-shërbimit nga kontrolli i aeroportit të fluturimit të M-NAV nga aeroporti në Ohër, pas çka do të prononcohen nëse moti ka ndikuar në fatkeqësinë.
Kryetari i KINSIV sqaroi se kur bëhet fjalë për aeroplan të navigacionit të përgjithshëm, pilotët vetë vendosin nëse do të fluturojnë ose jo.

“Paraprakisht në shërbimin e navigacionit në cilindo aeroport piloti e paralajmëron fluturimin e tij, kërkon informata të cilat i nevojiten siç janë meteo informatat, bën plan dhe e paralajmëron”, tha Ilievski dhe shtoi se piloti vet e bën rutën e tij, respektivisht vet bën plan të fluturimit, të cilin e parashtron.