Përfundon “epoka Messi – Ronaldo”, Luka Modriç shpallet fitues i “Topit të Artë”

Në Paris të Francës, Luka Modric është shpallur fituesi i trofeut më të vlefshëm individual, “Ballon d’Or” apo “Topi i Artë”.
“France Football” i ka dhuruar çmimin “Ballon d’Or”, Luka Modric-it, i cili në katërshen e fundit triumfoi ndaj Cristiano Ronaldo-s, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe.

Marketing

Kroati deri tek ky sukses erdhi më shumë falë sukseseve që arriti me skuadrën e tij, Real Madrid dhe me kombëtaren e Kroacisë.

Modric ishte fitues i Ligës së Kampionëve me Real Madrid ( për herë të tretë radhazi), sukses për të cilin kroati nuk kontribuoi aq shumë as me gola as me asistime.

Me kombëtaren kroate, mesfushori preku finalen e Kupës së Botës që u mbajt në Rusi, ku ishte lider i skuadrës, por as aty nuk u regjistrua shpesh në listën e realizatorëve.

Luka para këtij trofeu individual fitoi edhe çmimin “Best FIFA Men’s Player” apo “Lojtari më i mirë nga FIFA”, në shtator, në garë me Messin dhe Ronaldon.

Gjithashtu kroati e fitoi “Topin e Artë të Kupës së Botës”, duke u bërë kroati i parë që fiton atë çmim.

Ai kompletoi 422 pasime dhe krijoi më së shumti raste për gol (18) në kampionatin botëror në Rusi.

Ky ishte “Topi i Artë” i parë për kroatin, që me gjasë do të jetë edhe i fundit.

Modric shquhet për kontrollin e tij në mesfushë dhe për qetësinë që i sjell skuadrës ku ai luan.

Me këtë sukses, kroati është fituesi i parë pas 10 vitesh që nuk quhet Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo dhe që fiton këtë çmim ( Ballon d’Or).

Marketing