Përfundon takimi në Bruksel: Hoti e konfirmon se janë përfaruar qëndrimet për marrëveshje finale

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel tha se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij kjo duhet të ligjërisht e obligueshme.

“Në përputhje me zotimet që kemi marrë nga Samiti i Parisit para kancelares Merkel dhe presidentit Macron, për të hyrë në proces të dialogut, sot është mbajtur takimi i dytë i nivelit të lartë me palën serbe për të punuar për marrëveshjen finale, të përgjithshme, ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që duhet të dërgojë te njohja reciproke. Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, që jemi të gatshëm të lëvizim para”, ka thënë Hoti.

Marketing

Ai po ashtu tha se çdo që e diskutojnë është pjesë e marrëveshjes finale, siç tha ai, duke vlejtur gjithmonë parimi që “ne nuk dakordohemi asgjë, derisa nuk dakordohemi për marrëveshjen finale”

“Dëshiroj të falënderoj zotin Borrell e zotin Lajçak dhe punën e dy ekipeve tona në përafrimin e qëndrimeve. Unë me kënaqësi e them që është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Hoti.

Hoti është pyetur edhe për reagimin e BE-së lidhur me hapjen e ambasadës në Jerusalem.

“Kjo temë nuk ka qenë çështje e këtij takimi. Perspektiva jonë është Evropiane, Evropë integruese. Nuk kemi rrugë tjetër, duhet të punojmë shumë me BE-në. Marrëveshja që është arritur në Uashington dhe njohja që është marrë nga Izraeli është hap i rëndësishëm i konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Hoti para gazetarëve në Bruksel.

Ndër të tjera, Hoti ka folur edhe për pozitën e Kosovës mes SHBA dhe BE-së, duke thënë se vendi ynë nuk është ‘’vegël’’ në këtë rast.

Marketing