Eksporti i mallrave nga Maqedonia në gjashtë muajt e parë të vitit shënon rritje prej 26.5 për qind. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, vlera e mallit të eksportuar për periudhën janar-qershor të vitit 2018 është 3.323.298.000 dollarë amerikanë. Vlera e mallit të importuar në gjysmë vjetorin e parë është 4.441.172.000 dollarë amerikanë dhe shënon rritje prej 24 për qind, shkruan gazeta KOHA.

Deficiti tregtar, në periudhën janar-qershor të vitit 2018, është 1.117.874.000 dollarë amerikanë. Mbulimi i importit me eksportin, në periudhën janar – qershor të vitit 2018, është 74.9 për qind. Rritja eksportit të mallrave është falë kompanive të huaja që funksionojnë në zonat e lira ekonomike, të cilat për orientim kryesor e kanë eksportin e prodhimeve drejt vendeve të BE-së dhe vendeve tjera të botës.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, gjashtë muajt e parë të këtij viti sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit të jashtëm tregtar, Republika e Maqedonisë më së shumti ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë dhe at katalizatorë bartës me metale fisnike, pajisje të përçuesve për djegie për automjete, aeroplanë ose anije, pjesë të ulëseve për automobil dhe mjeteve transportuese me 10 ose më shumë ulëse.

Nëse Maqedonia deri në fund të vitit 2011 ishte partner numër një sa i përket shkëmbimit tregtar me Kosovën, sepse në këtë vit këmbimi tregtar me Kosovën kishte arritur shifrën prej 421 milionë euro, edhe atë mallrat e eksportuara nga Maqedonia drejt Kosovës shënonin vlerën prej 396 milionë euro, ndërsa mallrat e eksportuara nga Kosova në tregun e Maqedonisë kapnin shifrën prej 25 milionë euro, 7 vitet e fundit Maqedoni pe e humb tregun e Kosovës edhe përkundër shifrave se Maqedoni vazhdimisht ka shënuar suficit sa i përket eksportit të mallrave kundrejt importit të mallrave nga Kosova.

Nga janari e deri në fund të muajit maj të vitit 2018, kompanitë nga Maqedonia kanë eksportuar mallra në vlerë prej rreth 80 milionë euro, dhe krahasuar me vitin 2017, importi është rritur vetëm për 5 milionë euro, gjegjësisht në vitin 2017 Maqedonia drejt tregut kosovar ka eksportuar rreth 75 milionë euro.

Nga ana tjetër, kompanitë kosovare në vitin 2018 në Maqedoni kanë eksportuar mallra me vlerë tepër të ulët, vetëm 12 milionë euro, ndërsa krahasuar me vitin 2017, sa i përket eksportit të mallrave kosovare në tregun e Maqedonisë, ato kanë shënuar ulje prej 1 milionë euro. Eksporti i mallrave nga Kosova i hyrë në tregun e Maqedonisë në vitin 2017 kapte shifrën prej 13.204.524 eurove ndërsa pesë muajt e parë të këtij viti Kosova drejte tregut të Maqedonisë ka eksportuar më vlerë prej 12.216.778 eurove që është për rreth një milion euro më pak.

Në ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia dy vitet e fundit kanë një fluks të lartë tregtar në importin dhe eksportin e prodhimeve bujqësore.

Nëse tre vite më parë kompanitë nga Maqedonia eksporton më shumë mallra në tregun e Shqipërisë, dy vitet e fundit kompanitë nga Shqipëria kanë rritur eksportin e tyre drejt Maqedonisë. Volumi tregtar në pesë muajt e parë të vitit 2018 nga Maqedoni kap shifrën prej 27.806.248 euro, ndërsa në anën tjetër – mallrat e Shqipërisë në tregun e Maqedonisë janë futur në vlerë prej 21.057. 453, këto shifra tregojnë se dukshëm dy vitet e fundit është përmirësuar raporti eksport import.

Ndryshe, vitin e kaluar për periudhën e njëjtë Maqedonia në tregun e Shqipërisë ka eksportuar mallra në vlerë 24.292.854 euro, kurse mallra shqiptare janë futur në tregun e Maqedonisë në vlerë prej 23.799.183 euro. Gjatë viti 2017 dhe 2018, Shqipëria drejt tregut të Maqedonisë ka eksportuar produkte: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta, prodhime brumi etj. (koha.mk)