Përplasja e parë drejtpërdrejtë Rama-Meta në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë ditën e martë seancën plenare ku vihen për herë të parë drejtpërdrejt “përballë” njëri-tjetrit Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama.

Seanca do të shqyrtojë mosmarrëveshjen në lidhje me refuzimin e Presidentit Meta për të dekretuar Gent Cakajn në krye të Ministrisë së Jashtme pas largimit nga ky post i Ditmir Bushatit, në fund të 2018-ës dhe fillim të 2019-ës.

Padi në Kushtetuese është dorëzuar nga ana e Kryeministrit, që i kërkon kësaj gjykate që të interpretojë nenin 98 pika 1 të Kushtetutës, që ka të bëjë me emërimet e ministrave të kabinetit qeveritar.

Marketing

Kryeministri pretendon se kjo është një e drejtë ekskluzive e tij, ndërsa Presidenti e refuzoi dekretimin e Cakajt duke e cilësuar emrin e tij si të papërshtatshëm në rrethanat, periudhën dhe sfidat në të cilat ndodhej diplomacia e vendit.

Për të shmangur ngërçin, Rama e mori vetë postin e ministrit të Jashtëm dhe më pas ja delegoi detyrat Gent Cakajt. Cakaj drejtoi këtë ministri për dy vite me kompetenca të deleguara, mes të cilave edhe vitin e Presidencës së OSBE-së, që u drejtua nga vetë Rama, me statusin e ministrit të Jashtëm të vendit.

Marketing