Në Rusi, katër mjekë të një lëvizjeje të pavarur që mbështet udhëheqësin opozitar rus Aleksei Navalni tentuan përsëri pa sukses të martën të vizitonin aktivistin në pavionin e kujdesit intensiv në burgun ku po vuan dënimin. Keqësimi i gjendjes shëndetësore të zotit Navalni ka shqetësuar aktivistët vendas si dhe Perëndimin. Përkrahësit e tij kanë paralajmëruar protesta masive për të mërkurën:

Një tjetër tentativë e dështuar nga mjekja personale e zotit Navalni dhe një ekip specialistësh që u përpoqën të vizitojnë aktivistin në burg, pas njoftimeve se është në gjendje kritike shëndetësore:

“Erdhëm se na thanë se kreu i këtij objekti pret vizitorë në orën 14. Nuk e kuptoj përse nuk na lejojnë të futemi. I kanë lënë pacientët në gjendje të rëndë. Po sillen me mungesë respekti ndaj nesh, por mbi të gjitha ndaj pacientëve që kanë kërkuar ekipe mjekësore disa herë. Mbarë bota ka kërkuar të dërgohen mjekë për të vizituar Navalnin. Kjo është absurde,” tha mjekja personale e Navalnit, Anastasia Vasilieva.

Aleksei Navalni, tashmë në javën e tretë të grevës së urisë që filloi gjatë burgimit, u dërgua në pavionin spitalor pasi mjeku i burgut tha se mund të jetë në prag të vdekjes, tha avokati i aktivistit të hënën. Navalni filloi të vuante dënimin muajin e kaluar në një koloni penale famëkeqe për trajtimin e rëndë të të burgosurve.

Zoti Navalni është ankuar për mungesë gjumi pasi rojet e burgut e shqetësojnë shpesh gjatë natës, si dhe ka thënë se ka probleme shpine dhe të këmbëve që kur filloi dënimin. Specialistët që panë këtë fundjavë analizat e tij të gjakut thanë se ai është në rrezik akut nga veshkat dhe zemra.

Aktivisti kërkoi që ta vizitonte një mjek i pavarur dhe pasi iu refuzua kërkesa u hodh në grevë urie më 31 mars.

Mjekët e aktivistit që u përpoqën ta vizitojnë të martën u shprehën të shtangur që përsëri nuk u lejuan të futen në objekt:

“Nuk shoh asnjë arsye për të mos na lejuar të vizitojmë Navalnin. Edhe nëse kanë rregulla për vizitorët, vizitat lejohen nga ora 14-15. Ne duam të ndihmojmë pacientin, ata nuk duan të na dëgjojnë fare,” tha anestezisti Aleksei Erlikh.

“Thjesht duam të flasim me mjekët këtu, të mësojmë si ndjehet Navalni. Nuk na lejuan as të takohemi me mjekët,” tha mjeku kardiolog Jaroslav Ashikhmin.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përsëriti të hënën paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara lidhur me trajtimin e aktivistit:

“Nëse zoti Navalny vdes në burg, qeveria ruse do të ndeshet me pasoja. Ne rezervojmë të drejtën për t’i përdorur këto opsione. Ndërkohë, ne vazhdojmë të bëjmë presion për lirimin e tij dhe kemi theksuar se ai duhet trajtuar në mënyrë humane,” tha zëdhënësja.

Në përgjigje të njoftimeve për keqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, ekipi i zotit Navalni ka bërë thirrje për greva mbarëkombëtare të mërkurën, në të njëjtën ditë kur Presidenti Putin do të mbajë fjalimin e tij të përvitshëm mbi gjendjen e vendit.

Sipas një faqeje interneti të krijuar për të bashkërenduar protestat, flitet për demonstrata të planifikuara në 77 qytete ruse.

Ministria e brendshme ruse ka bërë thirrje për shmangien e protestave të paautorizuara, duke përmendur rrezikun e koronavirusit si dhe mundësinë e individëve që mund të nxisin trazira.