PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË POLITIKË. Jo vetëm përfaqësim formal

Që të dëgjohet zëri i tyre edhe në shtëpinë ligjvënëse, Parlament dhe Këshillat komunalë, personat me aftësi të kufizuara kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme të përfshihen në listat e kandidatëve për deputet dhe për këshilltar komunal. Por, sipas tyre, përfaqësimi apo përfshirja e tyre në listë të mos jetë vetëm formale, por të ketë një kuotë të garantuar, ngjashëm siç është e paraparë edhe për përfaqësimin e grave, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Deri më tani përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në listat për deputet dhe këshilltar komunash ka qenë vetëm se formale. Disa anëtar tonë të cilët kanë përcaktime politike kanë qenë të përfshirë disa herë në listat për deputet dhe këshilltar, por kanë qenë të renditur shumë poshtë në listat zgjedhore. Kjo me automatizëm nënkupton se ai nuk mund të zgjidhet as deputet, as këshilltar”, thotë për gazetën KOHA, Branimir Jovanovski, kryetar i Lidhjes kombëtare të personave me invaliditet të lehtë “Mobilnost”.

Sipas tij, Maqedonia duhet të ndjek shembullin e Serbisë dhe disa vendeve tjera të rajonit dhe Evropës ku personat me invaliditet të rëndë janë zgjedhur e emëruar, e mos flasim për persona me invaliditet të lehtë. “Që të dëgjohet zëri i kësaj kategori njerëzish duhet që vet ata ta thonë në institucione. Duhet që vet ata të kërkojnë që të drejtat e tyre të shndërrohen në ligje, apo vet ata t’i detektojnë problemet lokale që të kenë qasje dhe lëvizje të lirë. Përfshirja në listat për deputet të partive politike dhe në listat për këshilltar nuk duhet të jetë formale. Në mos më shumë të paktën në 10 kandidatët e parë, njëri të jetë kandidat i kësaj kategori, ngjashëm siç është me përfaqësimin e grave”, thekson Jovanovski.

Nga ana tjetër Sefer Iseni, kryetar i Shoqatës së Invalidëve”Shpresa”, shprehet i dëshpëruar nga politika. “Aspak s’i besoj politikës si në Maqedoni po ashtu edhe në të gjitha vendet ballkanike. Kjo polikë është pazarllëk i disa kolltuqeve qeveritare sa për ti përmbushur nevojat e tyre anti-popullore. Vetëm po bëhet një rotacion i partive dhe qeverisë dhe asgjë tjetër”, deklaroi për KOHA, Iseni.

Por, çfarë thotë politika? A është e gatshëm ajo që t’i hapë dyert për këtë kategori njerëzish? Nga partitë politike shqiptare theksojnë se si çdo qytetar tjetër, edhe personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën për tu kandiduar dhe zgjedhur. “Si gjithë të tjerët edhe personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën për tu kandiduar. Por, për një kuotë të caktuar në politikë ende nuk ka një kornizë ligjore. Kur kjo të vjen në rend dite padyshim se do ta shohim zgjidhjen më të mirë dhe do të japim mbështetjen tonë”, thonë për KOHA nga BDI-ja.

Ndërsa, nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), theksojnë se në programin politik, kjo parti i jepe rëndësi të veçantë edhe kësaj kategorie të qytetarëve, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë.

“Ata e kanë vendin edhe në politikë, jo vetëm si votues por edhe si pjesë e strukturave udhëheqëse partiake dhe të institucioneve shtetërore. Por para kësaj është më e rëndësishme që ne si politikë dhe Qeveria të krijojë kushte dhe mundësi për t’ua lehtësuar mënyrën e jetesës dhe ti bëjmë të ndihen të barabartë me të tjerët. Është më rëndësi të sillet një ligj, që do t’i plotësonte të gjithë kërkesat e tyre, të kenë shërbime shëndetësore falas, arsim universitar falas, transport publik falas, rrugica të posaçme, hyrje te posaçme për invalidët nëpër institucione dhe lokale afariste dhe shumë mundësi tjera, të cilat shtetet e BE-së ua mundësojnë kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë”, tha për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së. Sipas tij këto çështje janë më të të rëndësishme që në mënyre kolektive të përkujdesemi, sepse në mënyrë parciale nuk do ta zgjidhnim problemin. Përkundrazi duhet hartuar strategji dhe politika konkrete, jo të konsiderohen si barrë sociale, po si pjesë e privilegjuar e shoqërisë sonë, saktëson Bexheti.

Edhe nga lëvizja BESA thonë se si parti i kanë dyert e hapura për personat më aftësi të kufizuara. “Çdokush e ka të drejtën e garantuar për të marrë pjesë në proces zgjedhor. Normalisht që nëse ka profesionist që mund t’i sjellin cilësi politikës dhe të veprojnë në të mirë të qytetarëve dyert tona janë të hapura për këta kuadro”, shprehet Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Për personat me aftësi të kufizuara flitet shumë, por ata kërkojnë që nga fjalët të kalohet në vepra. Ata duan që denjësisht të përfshihen në listat zgjedhore në mënyrë që gara të jetë kuptimplote, sepse shumica prej tyre posedojnë aftësi e talent që mund të jenë në dobi të një shoqërie më të gjerë. (koha.mk)