Personat pa shtetësi, të harruar nga shteti

Mund të jenë qindra, mijëra ose dhjetëra mijëra qytetarë që jetojnë prej vitesh në vend dhe që nuk kanë shtetësi, por numrin e saktë të tyre nuk e dinë ose nuk e thonë institucionet. Nisma në Kuvend për ndryshimin e ligjit për shtetësi nga opozita shqiptare, rikthen përsëri shpresat e këtyre personave megjithëse kanë mbetur të pakta. Driton Sherifi dhe i vëllai, edhe pse të lindur në Kumanovë në fillim të viteve ’80, tashmë për dy dekada nuk gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

Marketing

Unë nuk kam më vullnet të shkoj në polici nëse kërkojnë ndonjë dokument se as ata vetë nuk e dinë çfarë dokumentesh kërkojnë. S’dimë ku të drejtohemi dhe ku të shkojmë. Neve janë duke na thënë moti “po, do të bëhet” dhe s’ka asnjëfarë rezultati. Unë në Zvicër të kisha shkuar deri tani e kisha marrë shtetësinë”-tha Driton Sherifi, qytetar pa shtetësi.

Alsat ndër vite ka raportuar për dhjetëra raste të tjera kur shteti zvarrit kërkesat ose i cilëson këto persona “të rrezikshëm për shtetin”. Një ndër këto shembuj nga raportimet e kaluara ishte edhe ai me nënën dhe bashkëshorten e Nuhi Sherifit nga lagja Bardhi në fshatin Bllacë, ai i Sevdaim Cekës bashkë me familjen, nga Tetova dhe shumë të tjera.

Nëna ime për 50 vite jeton këtu në Maqedoni. Shtetësi nuk ka. Shoqja ime për 20 vite, edhe ajo nuk ka shtetësi. Kur kam shkuar më thanë se nuk ta kanë lëshuar vendimin sepse kjo është “e dëmshme për shtetin”-theksoi Nuhi Sherifi, qytetar pa shtetësi.

Nënshtetësi nuk kam. Jo që s’kam vetëm unë po nuk ka asnjëri prej prindërve, as gjyshi, as gjyshja. Herën e fundit që isha në polici më thanë se nuk vlen as fakti që ke lindur këtu, as shkollimi, asnjë gjë”-deklaroi Sevdaim Ceka, qytetar pa shtetësi

Personat pa shtetësi nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk kanë të drejtë vote dhe as të drejtë punësimi si të gjithë qytetarët e tjerë.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski deklaroi se organet janë duke punuar për një zgjidhje.

Kemi disa përllogaritje sa i takon numrit të personave që nuk kanë shtetësi por nuk janë numra të detajuar. Kur të jemi të përgatitur në tërësi sa i takon rregullativës ligjore dhe nevojës për zgjidhjen ligjore atëherë në detaje do të tregojmë se si do të ndryshojë ligji”-tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Por premtime të tilla deri tani janë dhënë pa fund herë. Me ardhjen në pushtet në 2017-tën kryeministri Zaev dhe ministrja e atëhershme e punës dhe politikës sociale Carovska, njoftuan regjistrim urgjent të persona pa shtetësi dhe të personave “fantazmë” ose të paevidentuar në asnjë institucion. Asgjë nuk u realizua nga ky premtim.

Koalicioni ASH-AAA tani propozon që të gjithë personat që kanë qenë shtetas në ndonjërin nga vendet e ish Federatës Jugosllave të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 kanë jetuar në territorin e Maqedonisë mund të kërkojnë të fitojnë shtetësinë me deklaratë të dhënë nga tre dëshmitarë. Mes tjerash, personat që bëjnë kërkesën, të mund t’i nënshtrohen edhe testit të gjuhës shqipe dhe jo vetëm maqedonishtes. Pushteti jozyrtarisht njofton një sërë amendamentesh dhe vërejtjesh për nismën e opozitës në Kuvend.

Marketing