Përurohet Ambasada e re e SHBA-së në Prishtinë

Pikërisht në ditën kur SHBA-ja shënoi 243-vjetorin e shpalljes së pavarësisë u përurua ndërtesa e re e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Me rastin e ceremonisë së përurimit të këtij objekti ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Ambasada e re në Prishtinë paraqet dëshminë e partneritetit mes Kosovës e SHBA-së. Gjatë fjalimit të tij Kosnett tha se Amerika do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj, raporton “Zëri.info”.

Marketing

“Kjo Ambasadë është dëshmi fizike e partneritetit të fortë në mes Amerikës dhe Kosovës dhe do të vazhdojmë të sjellim rrugëtimin për paqe, prosperitet të të gjithë njerëzve të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me juve kudo që të jeni”, deklaroi ai, teksa falënderoi të gjithë të pranishmit, të cilët morën pjesë në ceremoninë e përurimit.

Ndërkohë kongresisti amerikan Eliot Engel tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë respektin e Amerikës, pasi sipas tij ata kanë punuar shumë për ta merituar një gjë të tillë.

“Ne jemi duke hapur Ambasadën tonë të re dhe ëndrrat po bëhen realitet, njerëzit tanë dhe të Kosovës po e bëjnë më të mirën, është mirë të jemi këtu dhe të kemi shoqëri me Kosovën, njerëzit e Kosovës kanë punuar shumë dhe e meritojnë respektin”, potencoi Engel.

Engel në fjalimin e tij tha se ndërtimi i kësaj ndërtese paraqet një dëshmi që gjërat e mira mund të ndodhin. Kjo sipas tij është një ëndërr, e cila tashmë është bërë realitet.

Engel më tutje deklaroi se Kosova duhet të njihet nga të gjitha kombet e botës, si dhe të bëhet pjesë e OKB-së.

Kurse gjatë deklarimit të tij kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Kosova dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë miq për një kohë të gjatë.

“Kjo është një nga ndërtesat për të cilat kam qenë shumë i lumtur që kam dhënë leje. Kosova dhe SHBA-ja do të jenë miq edhe për një kohë të gjatë”, u shpreh Ahmeti.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se pas ndërtimit të Ambasadës së re Kosova do të jetë edhe më e sigurt.

“Është kënaqësi e veçantë që 4 Korrikun ta festojmë duke e hapur Ambasadën e re të SHBA-së në Kosovë. Kjo ndërtesë tregon më së miri për përkushtimin e Amerikës për paqe dhe për zhvillim të Kosovës. Kjo shtëpi do ta tregojë gjithmonë drejtimin e duhur të shtetit tonë, drejtimin euroatlantik. Nga sot Kosova është më e sigurt”, potencoi kreu i shtetit./ZERI

Marketing