Përveç Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku viziton edhe Bullgarinë

Të dielën (më 5 maj) Papa Françesku nis një vizitë në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut.

Bullgaria, një vend prej 7.1 milionë banorësh, është shtëpia e vetëm 58.000 katolikëve, ndërsa Maqedonia e Veriut, me një popullsi prej 2 milionë banorësh, ka vetëm 15.000 katolikë, më pak se disa famulli në Romë.

Një nga qëllimet e udhëtimit tre-ditor është përmirësimi i marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishtërimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Por kjo detyrë është delikate, sepse Kishat Ortodokse në të dyja vendet janë të përfshira në konfliktet e tyre të brendshme, raporton Reuters.

Udhëheqësit ortodoksë bullgarë kanë urdhëruar që klerikët të mos marrin pjesë në lutje me Papën, duke thënë se ligjet e tyre nuk e lejojnë këtë. Por, Papa do të takohet me Patriarkun Ortodoks Neophyte dhe do të vizitojë një katedrale ortodokse në Sofje.

Kisha Ortodokse Bullgare muajin e kaluar, duke shpjeguar qëndrimin e saj, theksoi se ftesa për vizitën e Papa Françeskut ishte bërë nga autoritetet shtetërore, duke thënë se asaj i është dhënë vetëm roli dytësor në planifikim e vizitës.

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar ditë më parë se vizita e e kreut të Kishës Katolike Romake në Shkup, qytetin e lindjes së Nënë Terezës së Shenjtë, është historik si dhe mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku do të qëndrojë më 7 maj pasi të ketë përfunduar vizitën në Bullgari.