Pesë gjëra që duhet ditur lidhur me krizën Rusi-Ukrainë

Talha Yavuz

Kriza Rusi-Ukrainë që filloi në vitin 2014 është ngritur në axhendën globale pasi 4 ushtarë ukrainas humbën jetën në rajonin Donbas nga forcat ruse.

Marketing

Anadolu Agency (AA) shpjegon krizën midis Ukrainës dhe Rusisë në 5 pika.

1. Cili është thelbi i problemit midis Ukrainës dhe Rusisë?

Rusia u ngatërrua me Ukrainën pasi ish-republika sovjetike filloi t’i afrohej Bashkimit Evropian.

Presidenti pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, i katërti me radhë, njoftoi pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit të BE-së në 2013 për të parandaluar kthimin e vendit drejt Perëndimit. Kjo lëvizje shënoi fillimin e një krize të thellë në historinë e Ukrainës.

Mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, duke protestuar me muaj kundër vendimit të Janukoviçit. Herë pas here kishte përplasje midis protestuesve, me protestuesit pro-rusë që dilnin në rrugë.

Janukoviç u detyrua të arratiset në Rusi ndërsa protestat dolën jashtë kontrollit. Meqë Ukraina është e ndarë gjeografikisht midis Evropës dhe Rusisë, ashtu janë njerëzit e Ukrainës të ndarë në dy pole, mes atyre pro-rusë dhe pro-perëndimorë.

Tensionet më vonë u përhapën në Krime dhe Donbas. Parlamenti i Krimesë vendosi të mbajë referendum, i cili do të lejonte aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Krimea u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Rusia pas referendumit të diskutueshëm të 16 marsit 2014, megjithë kundërshtimet e tatarëve të Krimesë dhe ukrainasve.

Gjithashtu separatistët pro-rusë pretendojnë kontroll ndaj Ukrainës lindore, përfshirë rajonin Donbas, të cilin ata e kontrolluan në mënyrë të paligjshme gjatë shtatë viteve të fundit.

2. Kush e kontrollon Donbasin dhe pse?

Grupet separatiste pro-ruse sulmuan trupat pro-qeveritare në rajonin Donetsk dhe Luhansk (Donbas) në shkurt 2014. Të dy rajonet janë të populluara në masë nga banorë me origjinë ruse.

Sipas administratës së Kievit, separatistët u furnizuan me armë dhe municione të konsiderueshme nga Rusia.

Separatistët pretenduan dy shtete të ashtuquajtura, Republika Popullore Donetsk dhe Republika Popullore Luhansk, përmes referendumit të ashtuquajtur të 11 majit 2014.

Përmes kufirit ruso-ukrainas në Donbas, hynë automjete ushtarake ruse dhe armë të rënda, ku administrata e Kievit humbi kontrollin. Kjo situatë, të cilën Rusia e mohoi, u përfshi gjithashtu në raportet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

3. Si filluan tensionet?

Samiti i Parisit në formatin Normandi u mbajt në dhjetor 2019, takimi i parë në tre vjet. Gjatë samitit, udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës potencuan armëpushimin e plotë dhe respektimin e Marrëveshjes së Minskut.

Samiti nuk i uli përplasjet, por Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja më vonë morën një vendim gjithëpërfshirës të armëpushimit duke filluar nga 27 korriku 2020, i cili u respektua deri në vitin 2021.

Megjithatë, këtë vit, vendosja e ushtrisë ruse në kufirin ukrainas ka përshkallëzuar edhe një herë konfliktet në rajonin Donbas. Kriza u shkaktua me vrasjen e 4 ushtarëve ukrainas nga separatistët pro-rusë në 26 mars.

Gjatë një fjalimi në Parlamentin e Ukrainës më 30 mars, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Ukrainas Ruslan Khomchak theksoi numrin në rritje të trupave ruse në pjesët veriore dhe lindore të kufirit të Ukrainës dhe Krimesë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia po lëviz forcat e saj të armatosura brenda territorit të saj, gjë që nuk duhet të shqetësojë askënd.

Ndërkohë, në shkurt, Ukraina bllokoi kanalet televizive në pronësi të Viktor Medvedchuk, një politikan ukrainas me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin ndërsa vendosi gjithashtu sanksione ndaj tij.

Vendi gjithashtu zbuloi strategjinë për “shpëtimin e Krimesë”.

4. Cili është qëndrimi i vendeve perëndimore?

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja reaguan kundër vendosjes së trupave të Rusisë në kufirin e Ukrainës ndërsa mbështetën gjithashtu sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Gjatë një telefonate me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti i SHBA-së, Joe Biden rikonfirmoi edhe një herë “mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Donbas dhe Krime”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson gjithashtu bisedoi me Zelensky-n, duke përsëritur mbështetjen e vendit të tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, shprehu shqetësim rreth aktiviteteve ushtarake ruse pranë kufirit ukrainas.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi presidentit ukrainas të deklaronte mbështetjen e NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Stuart Peach, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, vizitoi Ukrainën ku u takua me Zelenskyn dhe Homchakun.

5. Çfarë duan palët?

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan në 2014 dhe 2015 për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe administratës së Kievit.

Marrëveshjet përfshinin një armëpushim në rajon, shkëmbimin e të burgosurve ndërsa lejuan administratën e Kievit të bënte një ndryshim kushtetues sipas së cilës rajonit Donbas do t’i jepej një status i veçantë. Nga ana tjetër, separatistët pro-rusë duhej të tërhiqnin armët e tyre në kufirin Ukrainë-Rusi.

Zbatimi i marrëveshjeve është penguar pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje reciproke të armëpushimit.

Në një bisedë telefonike me Stoltenberg, Zelensky theksoi vëmendjen për rëndësinë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit në NATO (MAP) dhe deklaroi se NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në Donbas.

Ukraina aktualisht është një nga gjashtë partnerët e mundshëm të zgjerimit të NATO-s, së bashku me Australinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Jordaninë dhe Suedinë.

Rusia e sheh hyrjen e Ukrainës në NATO si një kërcënim për të.

Që nga 15 shkurti 2020, më shumë se 4.100 ushtarë ukrainas dhe 5.650 separatistë pro-rusë si dhe mbi 13.000 civilë janë vrarë gjatë përleshjeve.



. .