Pirlo e pranon: Juventusi iu frikësua Interit, nuk kemi mundur të luanim më dobët se kaq

Andrea Pirlo e ka pranuar se Juventusi pësoi disfatë të rëndë kundër Interit dhe theksoi se skuadra e tij nuk ka mundur ta zhvillonte një ndeshje më të dobët se të dielën mbrëma në San Siro.

Marketing

Juventusi as që e testoi bile portierin e Interit Samir Handanoviq dhe ishte më fat që nuk pranoi më shumë se dy golat e shënuara nga Arturo Vidali dhe Nicolo Barella.

Lautaro Martinezi i kishte disa raste të pastra shënimi për ta rritur epërsinë e Interit, por ishte i padobishëm para portës, derisa Federico Chiesa e pati rastin e vetëm të mirë për gol për vizitorët.

“U futëm me qëndrim të gabuar nga fillimi dhe kur nuk je i përkushtuar t’i fitosh duelet, atëherë gjërat vështirësohen”, tha Pirlo pas ndeshjes.

“Ne, thjesht, sikur nuk vëmë këmbë në fushë sonte, ishim të frikësuar; të frikësuar ndaj sulmit të Interit, pra mendja jonë ishte e përqendruar vetëm për t’u mbrojtur, por as në këtë aspekt nuk ishim agresivë”, nënvizoi trajneri italian.

Pirlo shtoi: “Është humbje e keqe, nuk kemi mundur të luanim më keq se kaq dhe nuk e prisja. Por ne duhet ta mbajmë kokën lart dhe të përgatitemi për ndeshjen me Napolin në Superkupën e Italisë të mërkurën”.

Juve tani bie në pozitën e pestë në Series A me 33 pikë, shtatë më pak se Interi, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Marketing