Ambasadori i Holandës në Shkup, Willem Wouter Plomp, tha se sundimi i ligjit dhe në veçanti llogaridhënia janë çështje shumë të rëndësishme për shtetin të cilin e përfaqëson, kur është në pyetje procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Willem Wouter Plomp ishte pjesë e shëtitjes me biçikletë të organizuar në territorin e Komunës së Çairit, ku u pyet nga gazetarët lidhur me qëndrimin e Holandës në lidhje me procesin integrues në BE si dhe për mundësinë e ndarjes së pakos Maqedoni e Veriut-Shqipëri, respektivisht vendosjes për secilin shtet veçmas.

Ambasadori Plomp tha se është vështirë të thuhet nëse do të ketë vendim të përbashkët apo ndaras, duke theksuar se Këshilli Evropian duhet t’i miratojë këto vendime në mënyrë unanime.

“Ne gjithnjë e kemi bërë të qartë për një kohë të gjatë se është sundimi i ligjit ajo që na brengos më së shumti dhe veçanërisht çështja e llogaridhënies. Mendoj që javën e kaluar gjithashtu e thamë qartë se shumë nga reformat janë ndërmarrë nga Qeveria, për çka e përshëndesim Qeverinë si dhe për marrëveshjen me Greqinë”, tha Plomp, duke aluduar në Marrëveshjen e Prespës e cila solli zgjidhjen e kontestit të emrit.

Plomp sqaroi se kur përmendet sundimi i ligjit, mendohet në Prokurorinë Speciale, për të cilën tha se ka bërë punë të mirë në hetimin e korrupsionit në nivelet e larta, që siç u shpreh ai, është një çështje “e rëndësisë së veçantë”.

Ambasadori holandez tha se është e rëndësishme që të gjendet një mënyrë për të integruar Prokurorinë Speciale në Prokurorinë Publike të Maqedonisë së Veriut, “duke mbajtur deri diku pavarësinë që e ka bërë atë të suksesshme”.

Për shkak se miratimi i Ligjit për Prokurorinë Speciale kërkon 2/3 e votave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ambasadori Plomp apeloi deri tek të gjitha palët të cilat “dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet”, të gjejnë një zgjidhje kur është në pyetje Prokuroria Speciale.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale është themeluar si institucion në bazë të marrëveshjes politike të arritur në vitin 2015 mes katër partive politike dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Kompetencë e kësaj Prokurorie është hetimi i bisedave të përgjuara, në bazë të të cilave ka indikacione se funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në më shumë afera korruptive dhe keqpërdorim të proceseve zgjedhore.