Mesfushori i Interit, Nicolo Barella, po shkëlqen këtë sezon në Serie A. Italiani është kthyer në një nga lojtarët kyç në formacionin e Antonio Contes dhe mesa duket drejtuesit kërkojnë t’ia shpërblejnë lojtarit formën e mirë që po tregon.

Sipas raportimit të mediave italiane, Interi ka nisur menjëherë bisedimet për rinovimin e kontratës me 24-vjeçarin. Falë paraqitjeve të tij pozitive, Barella ka rënë në radarin e klubeve të mëdha të Europës dhe zikaltërit nuk dëshirojnë ta humbasin yllin e tyre.

Kujtojmë që Nicolo është në kontratë me Interin deri në vitin 2024 dhe aktualisht përfiton 2.5 milionë euro në sezon. Mësohet se në kontratën e re do të ketë një rritje page, e cila mund të shkojë deri në 4.5 milionë euro. Deri në këtë fazë të sezonit, Barella numëron 34 ndeshje në të gjithë kompeticionet, ku ka shënuar 3 gola e ka asistuar 10 herë për shokët e skuadrës.