Shumë përdorues e braktisën WhatsApp-in, pasi ai e ndryshoi politikën e tij të privatësisë.

Shqetësimet se të dhënat e tyre mund të përfundojnë në Facebook po i çojnë ata tek konkurrentët, që i mbrojnë më mirë të dhënat.

Miliona përdorues të aplikacioneve të mesazheve digjitale janë përpjekur të gjejnë shërbime alternative javën e fundit, pasi WhatsApp, në pronësi të Facebook-ut, njoftoi ndryshime në politikën e tij të privatësisë. Reagimi thekson një shqetësim në rritje – dhe mungesë qartësie – te përdoruesit për privatësinë e të dhënave.

Sipas firmës analitike të aplikacioneve mobile Sensor Tower, konkurrenti i WhatsApp-it, Signal pati 17.8 milion shkarkime midis 5 janarit dhe 12 janarit, nga vetëm 285.000 një javë më parë. Aplikacioni tjetër i mesazheve Telegram pati 15.7 milionë shkarkime gjatë së njëjtës periudhë, mbi dyfishin e 7.6 milion shkarkimeve që kishte një javë më parë. Shumë u dyndën gjithashtu te mesazheri Threema, më pak i njohur, një aplikacion mesazhesh që përdoret dendur në vendet gjermanofolëse, ku ndjeshmëria ndaj mbrojtjes së të dhënave është e lartë.

“Shkarkimet nuk po ndalen,” i tha DW kreu i marketingut dhe shitjeve i Threemas, Roman Flepp. “Javën e kaluar kemi regjistruar 10 herë më shumë shkarkime ditore sesa në një ditë të rregullt. Kështu që tani po flasim për qindra mijëra përdorues të rinj çdo ditë. Kjo është shumë”.

Konfuzioni i përdoruesit është i madh

Ndërkohë, shkarkimet e WhatsApp-it ranë në 10.6 milionë, nga 12.7 milionë një javë më parë. Kjo e shtyu WhatsApp të nxjerrë një sqarim, dhe më vonë madje të njoftojë se do t’i shtyjë përditësimet deri më 15 maj.

“Nuk jam i befasuar që njerëzit nuk e dinë me të vërtetë se për çfarë duhet të pranojnë, në krahasim me gjërat që miratonin më parë,” i tha DW Mbikqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave Wojciech Wiewiorowski. Njoftimi i WhatsApp për përdoruesit e tij ishte “jashtëzakonisht i shkurtër” dhe “pa informacione”, tha ai.

“Meqenëse njerëzit janë të vetëdijshëm për përqëndrimin e tregut dhe faktin që ka gjithnjë e më pak kompani të cilat në të vërtetë kanë gjithnjë e më shumë kontroll mbi informacionin në internet, situata me shpërndarjen e të dhënave midis shërbimeve po krijon dyshime për përdoruesit,”tha ai.

Në fillim të janarit, përdoruesit e WhatsApp-it morën një mesazh pop-up që njoftonte përditësimet në politikën e privatësisë së aplikacionit. Një vështrim nga afër nxirrte në paj se të gjitha llogaritë që nuk binin dakord me kushtet e reja brenda afatit të 8 shkurtit do të pezulloheshin ose fshiheshin.

Pasoi konfuzioni. Përditësimi ishte i paqartë për shumë njerëz, dhe një referim te Facebooku shkaktoi për përdoruesit frikë se përmbajtja e mesazheve të tyre do të ndahej me gjigantin e mediave sociale. Facebook ka pothuajse vazhdimisht emër të keq për praktikat e tij të dobëta të privatësisë. Reagimi negativ e shtyu WhatsApp të lëshojë një sqarim dhe të vonojë ndryshimet deri në maj.

‘Të dhënat janë floriri i kohës sonë’

Pavarësisht nga vonesa tre-mujore, përditësimi i synuar do të mbetet i njëjti.

Ndryshimet janë të nevojshme për t’u mundësuar përdoruesve t’u dërgojnë mesazhe bizneseve përmes WhatsApp, tha kompania në një deklaratë. Përditësimet kryesisht kanë të bëjnë me bizneset që mbajnë dyqane në Facebook dhe komunikojnë me përdoruesit përmes WhatsApp. Rregullat e reja sqarojnë se komunikimet me këto biznese mund të strehohen në serverat e Facebook-ut.