Kompania “Sodesko”, për të cilën ka punuar shtetasi i vrarë i Maqedonisë dhe kolegët e tij të cilët e humbën jetën në atentatin në Kabul, shprehi ngushëllime përmes një kumtese drejtuar opinionit.

Kryetari i kompanisë Denis Mashuel e shprehi “pikëllimin dhe tronditjen e tij të thellë për këtë humbje tragjike”, qëndron në kumtesë.

Tre të vrarët në sulmin në Kabul janë me shtetësi të Maqedonisë, Malajzisë dhe Indisë dhe të tre kanë punuar për “Sodesko”, kompania e dytë për nga madhësia për furnizim me ushqim në botë.

Ata janë rrëmbyer, ndërsa pastaj janë ekzekutuar prej një grupi tani për tani të panjohur. Autoritet e Afganit besojnë se bëhet fjalë për atentat terrorist, edhe pse asnjë grup tani për tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjet.
Mbetet e paqartë çfarë saktë ka ndodhur. Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Afganistanit thonë se të tre të punësuarit janë larguar nga vendi i punës rreth orës 8 e 30 minuta në mëngjes, sipas kohës së Afganistanit, me automjet me shofer.

“Rreth një orë e gjysmë më vonë trupat e tyre janë gjetur në fushat në distriktin Musahi në një automjet tjetër. Të tre viktimat janë burra, duart i kishin të lidhura. Janë vrarë me plumba. Dy prej tyre janë gjetur në bagazh, ndërsa i treti në ulëset e pasme”, deklaroi zëdhënësi i MPJ-së afgane, Nasrat Rahimi, transmetojnë mediat.

Policia dyshon në shoferin. Mediat thonë se rajoni Musahi njihet si rajon i rrezikshëm në Afganistan. Rrëmbimet në Afganistan janë të shpeshta, ndërsa grupet kriminele shpesh ua rishesin të rrëmbyerit grupeve terroriste.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë sot kumtoi se është dërguar kërkesë deri te institucionet afgane për informim zyrtar lidhur me shtetasin e vrarë të Maqedonisë.