Me urdhër të Prokurorisë, policia ka marrë dokumentacion voluminoz nga Fondi për inovacione lidhur me mjetet e ndara. Nga Fondi shprehen se askush nga të punësuarit nuk është ftuar për bisedë në Prokurori, e cila ka formuar lëndë në bazë të informacionit të marrë, për skandalin me ndarjen e parave shtetërore për kompani ku pjesë kanë edhe funksionarë nga pushteti. Nga Prokuroria shtojnë se në vijim e sipër është procedura para-hetimore dhe se po ndërmerren veprime. Në seancën e sotme parlamentare për pyetjet e deputetëve, skandali i grandeve ishte një prej pikave të para për të cilat u kërkua llogari.

Nuk po flasim për kredi, për subvencione, por po flasim për persona që kanë marrë 150 mijë, 200 mijë apo 300 mijë euro vetëm sepse janë të afërt me pushtetin, vetëm për shkak se në kabinetet e tyre janë ulur persona që i marrin vendimet. A jeni të vetëdijshëm për madhësinë e skandalit, për madhësinë e dëshpërimit dhe intensitetin e revoltit që e ka opinioni në Maqedoni? Dje keni bërë ndarjen më skandaloze të grandeve, jo të kredive, por të parave të gjalla, nuk keni ndërmend askush të mbaj llogari sepse këto persona janë pak dhe u thatë, mos e bëni përsëri – deklaroi Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO DPMNE-së.

Të gjitha kompanitë absolutisht kanë të drejtë për këtë. Dhe do të marrin në të ardhmen, unë e përshëndes mënyrën etike të sjelljes kur tërhiqen vet kompanitë ku si bashkë- pronar kanë bartës të pushtetit, sepse sipas ligjit kjo lejohet, por deri në fund në mënyrë etike nuk lejohet sepse ka mendime që në këtë proces ka pasur ndikime – tha Zoran Zaev, kryeministër i RM.

Në seancë mori pjesë edhe zv.kryeministri Koço Angjushev. Deputetja e VMRO-së Daniella Rangellova nuk deshi drejtpërdrejtë t’i thotë asgjë, sepse siç tha, tek ai dhe tek kolegët deputetë, ka përplasje interesash.

Çfarë do ndodhte nëse kjo nuk dilte në opinion? Deputetja juaj nga Forumi i grave, Cvetanka Llaskova ka konflikt interesash pasi reja e saj ka fituar 330 mijë euro nga ky fond dhe për kolegun thoni nuk ka shkelje ligji. Unë do ua lexoj nenin 5 nga Ligji i deputetëve, ku qartë thuhet se nuk mund të jesh edhe deputet edhe të kesh funksion tjetër – deklaroi Daniella Rangellova, VMRO-DPMNE.

Gjatë aplikimit të këtillë, njerëzit komercial kanë aplikuar ku zëvendëskryeministri i qeverisë Angjushev ka pjesën e tij. Komercialistët janë ulur dhe e kanë shqyrtuar mundësinë sipas ligjit, mund të aplikojnë dhe ata absolutisht e dinë se kur është e hapur për të gjitha kompanitë, është e hapur edhe për ta. Ligji e jep një mundësi të tillë. Mirë është kur ka mundësi të korrigjohet, menjëherë është korrigjuar. Mbaj shpresa te të gjithë ministrat dhe te ky ministër, e di sa punon në qeveri dhe nuk besoj që duhet ta shkarkoj – theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Deputeti nga Aleanca për shqiptarët, Surija Rashidi me vërejtje se shumë pak kompani shqiptare kanë fituar ndihma nga Fondi për inovacione. Ndaj kësaj replikoi Angjushev duke thënë se i vogël ka qenë edhe numri i aplikuesve shqiptarë. Derisa deputetët parashtronin pyetje për pushtetin, në opinion doli në shesh edhe një skandal. Portali Makfaks publikoi se pronare e kompanisë të cilën Fondi e ka propozuar t’i shkruajë projektet për inovacione, në të njëjtën kohë ka fituar edhe grand. Pronarja është përgjigjur se nuk ekziston kurrfarë favorizimi të kompanisë së saj./alsat-m