Politika e privatësisë e aplikacionit celular StopKorona! në përputhje me parimin e transparencës në përpunimin e të dhënave personale

Aplikacioni i paralajmëruar celular që synon të japë përgjigje të shpejtë për autoritetet shëndetësore se me cilët persona ka qenë në afërsi personi i infektuar në 14 ditët e kaluara është zhvilluar dhe tashmë është në dispozicion të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. StopKorona! ka për qëllim të zbulojë kontaktin e afërt me persona të infektuar potencialisht përmes procedurës për zbulimin e afërsisë së pajisjeve/aplikacioneve celulare përmes teknologjisë Bluetooth, ndërsa përdorimi i tij bazohet në pëlqimin e subjektit të të dhënave personale, gjegjësisht në shkarkimin dhe instalimin vullnetar të tij nga qytetarët.

Marketing

Para se të shkarkohet aplikacioni celular, rekomandohet që qytetarët ta lexojnë Politikën e Privatësisë dhe të njihen me mënyrën se si do të mbrohen të dhënat e tyre personale, cilat janë të drejtat e tyre si subjekte të të dhënave personale, por edhe cilat janë detyrimet e personit që i përpunon të dhënat personale të mbledhura nga përdorimi i aplikacionit celular.

Duke e analizuar Politikën e privatësisë që është në dispozicion në stop.koronavirus.gov.mk, ajo që mund të vërehet është se ajo e përmban shumicën e informatave që janë të nevojshme për t’i informuar qytetarët, dhe kështu e respekton parimin e transparencës në përpunimin e të dhënave personale.

Rekomandimi për përmirësimin e Politikës së privatësisë ka për qëllim të sigurojë informacione shtesë në lidhje me:

Informacionet e kontaktit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe/ose Zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilin do të mund ta kontaktojë çdo qytetar për ta ushtruar të drejtën për qasje, korrigjim ose fshirje të të dhënave personale

Nëse dhe në cilat raste Ministria e Shëndetësisë do t’i ndajë të dhënat e mbledhura përmes aplikacionit celular me institucionet e tjera të përfshira në procesin e përballjes me COVID-19?

Informacion nëse Ministria e Shëndetësisë ka për qëllim në ndonjë moment t’i transferojë të dhënat personale në një vend të tretë ose organizatë ndërkombëtare

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e duke e ndjekur parimin e transparencës në përpunimin e të dhënave personale, kur të dhënat personale mblidhen nga qytetarët, kontrolluesi, që në këtë rast është Ministria e Shëndetësisë, në momentin e mbledhjes së të dhënave personale, i siguron informacionet e mëposhtme: identitetin dhe të dhënat e kontaktit të kontrolluesit, të dhënat e kontaktit të zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale, qëllimet e përpunimit për të cilat janë të dedikuara të dhënat personale, interesat legjitime që i ushtron kontrolluesi ose pala e tretë, përdoruesit ose kategoritë e përdoruesve të të dhënave personale, nëse ka të tillë, informacion nëse kontrollori ka për qëllim t’i transferojë të dhënat personale në një vend të tretë ose organizatë ndërkombëtare, periudhën kohore për të cilën do të ruhen të dhënat personale, ekzistimin e të drejtës për të kërkuar nga kontrolluesi, qasje, korrigjim ose fshirje të të dhënave personale, ekzistimin e të drejtës për tërheqjen e pëlqimit në çdo kohë, të drejtën për të paraqitur kërkesë në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, informacione nëse kontrolluesi ka për qëllim t’i përpunojë edhe më tej të dhënat personale për ndonjë qëllim tjetër përveç atij për të cilin janë mbledhur të dhënat personale.

Përveç kësaj, Politika e Privatësisë mund të përmbajë informacione dhe kontakte nga institucionet kompetente për zbatimin e ligjeve në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Marketing