Politikbërja e vjetër refuzon ide të reja

Të rinjtë në Maqedoni konsiderojnë se lë shumë për të dëshiruar pjesëmarrja e tyre në procese të krijimit të politikave, qoftë në pushtetin qendror apo lokal. Sipas tyre, është shumë e nevojshme rritja e transparencës në procesin e politikbërjes për të rinjtë, shkruan gazeta KOHA. Sipas një hulumtimi të Qendrës për hulumtime dhe krijim të politikave, 91 për qind e të rinjve vlerësojnë se zëri i tyre nuk është i pranishëm në procese vendimmarrëse. Po sipas këtij hulumtimi, 87 për qind e të rinjve konsiderojnë se shteti nuk e shfrytëzon potencialin e tyre.

Marketing

NATO DHE BE DO TË NDIKOJNË QË RINIA T’I KTHEJË SYTË NGA VENDLINDJA

Por a do ta ndryshonte këtë qasje të politikës ndaj të rinjve anëtarësimi i vendit në NATO dhe Bashkim Evropian (BE)? Rita Behadini nga Parlamenti studentor në kuadër të Universitetin të Evropës Juglindore në Tetovë, për gazetën KOHA thotë se NATO dhe BE ndoshta do të ndikojnë që rinia t’i kthejë sytë nga vendlindja dhe jo nga Gjermania.

“Definitivisht, NATO dhe BE ndoshta do të ndikojnë që rinia t’i kthejë sytë nga vendlindja dhe jo nga Gjermania. Gjithsesi mendoj që politika në Maqedoni është ende në fazën ku nuk kyçet më i miri por ai që ka kontribuar më shumë për partinë e vet, kjo është edhe arsyeja përse të rinjtë janë pak të angazhuar në të, por edhe nuk preferojnë të kyçen”, deklaroi Behadini. Nga ana tjetër, Nermine Hamidi, nënkryetare e Unionit Studentor Shqiptar (USSH), në prononcim për gazetën KOHA thotë se aderimi drejt NATO-së dhe BE-së padyshim që është shpresë për shtresën më të dëshpëruar tash më, rininë.

“Përderisa ikja e të rinjve është fenomeni më i përhapur kohëve të fundit, çdo hap më afër NATO-së dhe BE-së ringjall motiv dhe vullnet për zhvillim stabil arsimor, ekonomik, social dhe atë politik të cilat në shumicën e rasteve janë arsyeja e ikjes nga vendi. Me afrimin kah vlerat e BE-së dhe NATO-së besojmë se ky destabilitet do të përmirësohet dhe padyshim kjo duhet të fillon nga politikbërja e shtetit ku jemi. Sepse BE dhe NATO nuk janë shkopi magjik që mund ta ndryshojnë gjendjen e popullit tonë nëse këtë vullnet nuk e kanë edhe politikanët e vendit. Sa i përket partive politike, është e vërtetë që ata kanë interes për rinin sepse ne jemi një përqindje e theksuar e popullit, që nënkupton një numër të konsiderueshëm votash. Për fat shumë të keq interesi i tyre fillon dhe përfundon me zgjedhjet”, thekson Hamidi. Ajo beson se BE dhe NATO do të “detyrojë” qeveritarët të vënë fokusin tek e ardhmja me meritokraci.

PA NJË ARSIM CILËSOR NUK MUND TË KETË ZHVILLIM

Ndërkaq, Ariton Rama nga Forumi Rinor Shqiptare (FRSH) për gazetën KOHA thekson se periudha e fundit politike për shoqërinë tonë është një sfidë, që kërkon mobilizim gjithëpërfshirës në të gjitha fushat e jetës e në veçanti në stabilitetit politikë dhe zhvillim social-ekonomik.
“Proceset integruese ku ne synojmë, janë tepër favorizuese për ne si shoqëri me theks të veçantë për rininë, duke pasur parasysh moshën mesatare në nivel vendi e që është një përparësi dhe mundësi më shumë në favor të zhvillimit tonë, por pa një arsim cilësor, efektiv, lëvizës e pritshmëri të larta nuk mund të ketë as zhvillim e as integrim. Organizimi i shoqërisë për një arsim cilësor, substancë reale të implementimit politik me nuanca euroatlantike sot, do të thotë: organizim, planifikim, qeverisje, udhëheqje, ide, vizion, inovacion, kreativitet, rregulla, zhvillim, infrastrukturë e mjedis, ekonomi, harmoni, ndërvarësi, partneritet, bashkëjetesë, vlerësim, ndryshim etj.”, thekson Rama. Sipas tij, statistikat e ndryshme në nivel Evropian tregojnë se struktura demografike e popullsisë po ndryshon, në kontinentin tonë dhe se të rinjtë luajnë një peshë relative në të rëndësishme.
“Të dhënat e ndryshme nga EUROSTAT prej vitesh, konfirmojnë se Europa është duke u “plakur” dhe forma historike e piramidës ka ndryshuar nga një trekëndësh (që tregon shtimin e popullsisë) me një përqindje shumë të vogël të fëmijëve dhe të rinjve, dhe një përqindje të lartë të numrit të të vjetërve”, nënvizon Rama.

Sociologu Ali Pajaziti, thotë se nuk mund të bëhet një politikë e shëndoshë me militantë partiak, duke përjashtuar kuadrot profesionalë dhe që zotërojnë disa gjuhë të botës.

“S’mund të bëhet politikë e shëndoshë me militantë partiak por me kuadro të zotë e që i japin hakun postit dhe që na bëjnë krenar neve si komb, në çdo institucion me performansat e veta, me kulturën dhe vlerat njerëzore-etike. Pozicionimi i një individ në vend që s’e meriton është djegie, sakrifikim i tij, përmbyllje e karrierës në një kohë shumë të hershme. Dhe natyrisht dështim ynë kolektiv, përshtypje shumë negative tek tjetri”, thotë për gazetën KOHA, sociologu Pajaziti. Edhe pse BE dhe NATO nuk janë “shkop magjik” për të ndryshuar një praktik të vendosur ndër vite, brenda natës, megjithatë shpresa e të rinjve janë të drejtuara nga këto dy institucione. (koha.mk)

Marketing