Polonia do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim në NATO

Parlamenti polak sot do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

Marketing

Ambasadori polak në vend Vojcieh Ticilinjski këtë e paralajmëroi dje, në diskutimin diplomatik me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s me temë “Rruga deri në Bruksel”, në të cilin kanë folur edhe kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

“Kjo është koincidencë, sepse kjo ndodh pikërisht këto ditë, dhe donim ta ftonim kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi të marrë pjesë në këtë ngjarje, por për fat të keq ai për momentin është jashtë vendit, por në votim do të marrë pjesë zëvendëskryetari Vesel Memedi”, tha Ticinjski.

Sipas tij, aderimi në NATO nuk është i lehtë, por një proces kompleks, duhet të merren vendime të rënda, dhe nga aspekti politik, por më e rëndësishme është ajo që do ta marrim si rezultat final.

“Ne jemi 20 vjet anëtare të NATO-s dhe me të vërtetë vlejnë të gjitha përpjekjet tona”, shtoi ambasadori polak në vend.

Polonia do të jetë vendi i nëntë që e ratifikon Protokollin. E para e ratifikoi Greqia, ndërsa pas saj edhe Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Lituania dhe Danimarka.

Vendet anëtare të NATO-s më 6 shkurt e kanë nënshkruar Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e plotfuqishme.

Diskutimi diplomatik, në suaza të NATO-s këtë javë, e organizojnë Ministria e Mbrojtjes, Këshilli Euro Atlantik (ATA) dhe Ambasada e Republikës së Sllovenisë.

Marketing