Portalet në Shqipëri futen në ligjin për mediat audiovizive, pezullim aktiviteti dhe gjoba

Një draft me ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizive në republikën e Shqipërisë” i nxjerrë për konsultim ka në fokus përfshirjen e portaleve në kuadrin ligjor dhe rregullimin e mënyrës se si funksionojnë këto të fundit. Duke përfshirë në ligj termin OSHPM, që do të thotë Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike përcaktohet qartë se kush do të futet në kategori. “Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik”, thuhet në draftligj.

Marketing

“Për shkelje të kryera nga ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, AMA kërkon nga Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar marrjen e këtyre masave plotësuese: Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj. Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative dhe pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj”, thuhet në draft. Në rastet kur portalet nuk respektojnë parimet që sanksionon neni 33 pika 1 e ligjit që lidhen me vërtetësinë, paanshmërinë, objektivitetin, moscënimin e të drejtave dhe dinjitetit dhe një seri kushtesh të tjera, AMA vendos për gjoba nga 100 mijë lekë deri në 1 milionë lekë.