Portieri kilian i Manchester Cityt, Claudio Bravo, e ka publikuar letrën që ia kishte dërguar dje Real Madridi, për t’i uruar shërim sa më të shpejtë. Këtë muaj, Bravo pësoi një lëndim i cili mund ta mbajë jashtë futbollit për të gjithë sezonin.

Bravo e kishte lënduar thembrën e Akilit gjatë stërvitjeve me Cityn më 20 gusht dhe raportohet se ai nuk do të jetë i gatshëm të luajë me muaj të tërë, transmeton Gazeta Express.

Bravo kishte qenë lojtar i Barcelonës për 2 vite para se të transferohej në Barcelonë në vitin 2016 për 18 milionë euro. Gjatë kohës në Spanjë, ai i fitoi dy herë titujt e La Ligës dhe Copa del Rey, si dhe mori medaljen e artë të Ligës së Kampionëve.

Në dhjetor të vitit 2017, portieri i Sunderlandit, Duncan Watmore, e kishte marrë një letër nga Real Madridi pasi që e kishte pësuar një lëndim të rëndë. Dhe, tani kampionët evropianë kanë bërë të njëjtën gjë edhe për ish-portierin e Barcelonës.

“Në emër të të gjithëve në Real Madrid, në veçanti presidentit tonë, Florentino Perez, duamë të ju urojmë të gjithë të mirat dhe një shërim sa më të shpejtë”, thuhet në letrën e Real Madridit, të publikuar nga Bravo në Twitter.

“Na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, pasi që lëndimet janë pjesë e futbollit, por ne nuk kemi asnjë dyshim që, me profesionalizmin dhe punën tënde, ti do të vazhdoj t’i dhurosh shumë lumturi tifozëve të futbollit”.

Portieri Bravo e postoi këtë letër në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ku e falënderoi klubin madrilen për këtë gjest.

“Faleminderit Real Madrid për këtë gjest kaq fisnik. Vepra si kjo e bën futbollin shumë të mirë. Një përqafim të madh”, ka shkruar Bravo.

Afati kalimtar për klubet angleze ishte mbyllur më 9 gusht, para se Bravo të lëndohej, për këtë arsye Manchester City nuk patën mundësi të blejnë një portier të ri. Megjithatë, ata e kthyen malazezin Aro Muric nga huazimi i tij në klubin holandez Breda.