Pozita dhe opozita nuk u morën vesh për PSP-në

Grupet punuese të pozitës dhe opozitës sot nuk patën sukses që të merren vesh rreth Ligjit për Prokurorinë Publike me të cilin duhet të zgjidhet edhe statusi i ardhshëm i PSP-së.

Marketing

Ministrja Deskoska pas takimit theksoi se VMRO-DPMNE-ja e ka shkelur marrëveshjen e parë të cilën e kemi bërë, e ajo ishte që në takimin e sotëm të kenë dorëzuar amendamente konkrete me të cilat do të përmirësohej teksti ligjor nëse ka hapësirë për këtë.

“Në vend të kësaj, morëm një material në të cilin vendosën dokumente ndërkombëtare të cilat supozohet se nuk janë zbatuar. Të gjitha dokumentet të cilat janë vendosur në atë që e dorëzoi VMRO-DPMNE-ja, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me PP-në janë zbatuar në këtë ligj, një pjesë janë zbatuar në Ligjin për procedurë penale, ndërsa një pjesë janë zbatuar në Kodeksin e prokurorëve publikë. Ka edhe një dokument të cilin ata e theksojnë e që aspak nuk ka të bëjë me PP-në, por ka të bëjë me nëpunësit publikë dhe në të qartë qëndron se ai nuk ka të bëj për çfarëdo lloj organesh në kuadër të gjyqësorit, deklaroi Deskoska.

Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja pas takimit theksoi se në takimin e sotëm ishin numëruar tri pika për zbatimin e 15 rezolutave të cilat duhet të pranohen në këtë ligj, ndërsa, të cilat, siç tha, janë sipas standardeve ndërkombëtare.

Nga BDI-ja, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, thonë se e pranojnë ligjin ashtu si është propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Përpjekjet për arritjen e zgjidhjes koncensuale sipas atij teksti të Propozim ligjit duhet të vazhdojnë dhe jam i bindur se edhe opozita do të gjejë veten në përpjekjet tona konstruktive që ta miratojmë ligjin dhe të sigurojmë qasje të pandërprerë drejtë datës për fillimin e bisedimeve me BE-në në qershor. Shpresoj se në ditët në vijim opozita do të dorëzojë amendamente për këtë ligj dhe së bashku si partnerë të koalicionit do të fillojmë debat për amendamente që t’i shohim qëndrimet e tyre për nenet konkrete të Propozim ligjit për Prokurori Publike”, deklaroi Grubi.

Pasi që për momentin nuk ka marrëveshje për këtë ligj, në pyetjen se a do të nevojitet intervenim diplomatik duke pasur parasysh se ky ligj është një nga më të rëndësishmit për marrjen e rekomandimit pozitiv për vendin, ministrja Deskoska theksoi se nuk përjashtohet “secila ndihmë që është me qëllim të mirë për të mirën e së ardhmes”.

VMRO-DPMNE-ja opozitare dje dorëzoi deri te Ministria e Drejtësisë tri parime të cilat do të insistojnë që të zbatohen në Propozim ligjin për Prokurori Publike – zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me Prokurorinë dhe prokurorët, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe pavarësinë, neutralitetin, llogaridhënien, efikasitetin dhe efektivitetin në luftën kundër krimit.

Nga Ministria e Drejtësisë dje dolën me vlerësim se me sjelljen e deritanishme joserioze në procesin e sjelljes së ligjit për Prokurori Publike, VMRO-DPMNE-ja ka treguar se amnistinë e kryesve të veprave serioze penale nga radhët e partisë së tyre e kanë qëllimin më të rëndësishëm se sa të ardhmen evropiane të qytetarëve.

Shumica në pushtet pret që ligji për Prokurori Publike të sillet deri në fund të marsit, gjegjësisht para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Ky është edhe një nga kushtet për hapjen e bisedimeve me BE-në në qershor.