Prag tensioni mes Turqisë e Greqisë

Në horizont tensione të reja midis Greqisë dhe Turqisë. Ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez njoftoi vazhdimin e kërkimeve për karburante në Mesdheun Lindor brenda zonës ekskluzive ekonomike të Qipros.

Marketing

Ai gjithashtu iu referua ishullit grek të Kastellorizo, duke refuzuar pozicionin e Greqisë për zonën ekskluzive ekonomike.

“Kemi kryer tetë shpime në Mesdheun Lindor dhe siç e kemi thënë që në fillim, është e drejta jonë në përputhje të ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të detit ndaj nuk ka shanse që të heqim dorë”, thotë ministri Donmez.

Analistët nuk presin mobilizim ushtarak rreth ishujve grekë, por nuk e përjashtojnë si mundësi nëse dështojnë bisedimet dypalëshe midis autoriteteve greke dhe turke apo ato me Bashkimin Europian.

E në lidhje me negociatat dypalëshe, ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu do të takohet më 31 Maj me homologun e Greqisë Nikos Dendias.

Mediat turke raportojnë se krerët e diplomacisë do të diskutojnë mundësinë e një takimit të mundshëm midis Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis në aneksin e samitit të NATO’s në Bruksel që do të zhvillohet më 14 Qershor.

Tensionet për Mesdheun Lindor midis Greqisë dhe Turqisë çuan në prag lufte dy aleatët e NATO-s. U desh ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Europian për të qetësuar gjendjen dhe uljen e palëve në dialog.