Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në prag të përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO, tha se kjo tentativë tradhtare ishte përgatitur duke llogaritur që, duke asgjësuar Republikën e Turqisë dhe rendin kushtetues, të gjunjëzonte popullin turk ose ta çonte vendin drejt një lufte civile. Ai theksoi se prania e FETO-s është një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe për familjet që fëmijët i dërgojnë në shkollat e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Yörük në një deklaratë për media, theksoi se Shqipëria është në krye të vendeve ku FETO është më e organizuar në Ballkan dhe disa institucione arsimore, shëndetësore dhe tregtare si dhe organizime fetare dhe organizata të shoqërisë civile janë të infektuara nga virusi i FETO-s.

– “Prania e FETO-s është një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”

Ambasadori turk duke folur për praninë e FETO-s në Shqipëri tha se “Ne e dimë se organizata djallëzore FETO që kryesisht vepron nën maskën arsimore, krahas zgjatimeve të saj në institucionet arsimore dhe shëndetësore edhe në Shqipëri, është e pranishme edhe me zgjatime të tjera të pista. Ne nuk dëshirojmë që miqtë dhe vëllezërit tanë të kenë përvojën e atyre ngjarjeve që jetuam ne më 15 Korrik. Askush në Shqipëri të mos jetë tolerant ndaj institucioneve dhe individëve të lidhur me FETO-n, t’u qëndrojë sa më larg atyre dhe që familjet të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e FETO-s. Dëshiroj të nënvizoj se ky rrjet tradhtar në një ditë të caktuar nuk do të ngurrojë të dëmtojë Shqipërinë.”

Ai tha se besojnë se do të jetë e dobishme që të pastrohen nga territori shqiptar të gjithë elementët e kësaj strukture që përbën një kërcënim për Shqipërinë dhe për Turqinë.

Ambasadori Yörük theksoi se “Është një e vërtetë se krahas institucioneve të tjera me petk legal, Organizata Terroriste FETO është shtrirë edhe në sektorin e arsimit, shëndetësisë, medias dhe segmenteve të tjera të sektorit privat. Nuk është e drejtë që këto shkolla në Shqipëri të cilësohen si ‘shkolla turke’. Këto shkolla nuk janë shkolla turke, janë shkolla të FETO-s. Me urdhër të Qeverisë Shqiptare në vitin 2016 u ndalua vendosja e flamurëve turq në këto shkolla”.

Ai theksoi gjatë deklaratës se këto zgjatje terroriste nuk duhen parë si të pazëvendësueshme në Shqipëri dhe shtoi se në këtë kuadër, shteti turk ka një fondacion me mbështetje shtetërore i quajtur Fondacioni Maarif i Turqisë.

“Detyra themelore e këtij Fondacioni është të hapë shkolla të vërteta turke jashtë vendit dhe të përcjellë edhe jashtë Turqisë nivelin arsimor të vendit tonë. Fondacioni ynë Maarif po bën përpjekje intensive në këtë drejtim edhe në Shqipëri. Qeveria Shqiptare deri tani ka mbështetur punën në Shqipëri të Fondacionit Maarif”, u shpreh ambasadori turk në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dënuar tentativën për grusht shteti të 15 Korrikut dhe nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se tentativa për grusht shteti e FETO-s në Turqi i ka bërë edhe ata të jenë të matur dhe të kujdesshëm, se siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik janë “prioritet i prioriteteve”, se janë të vendosur që organizata të mos ndikojë në misionin e arsimit në Shqipëri, tha ambasadori Yörük.

“Qeveria Shqiptare ka kuptuar gjithçka. Ne besojmë se do të hidhen hapat e nevojshëm për pastrimin e FETO-s nga territori shqiptar. Ne presim që këto hapa konkretë të hidhen brenda një kohe sa më të shkurtër”, tha Yörük.

– “Tentativa e FETO-s për grusht shteti synoi eliminimin me dhunë të rendit kushtetues demokratik në Turqi”

Yörük tha se është vërtetuar qartësisht se 15 Korriku ishte planifikuar nën drejtimin e kreut të FETO-s, Fetullah Gülen, se u zbatua nga elementë brenda forcave të armatosura nëpërmjet imamëve civilë, të cilët kanë pasur lidhje dhe kanë kërkuar udhëzime nga lideri i organizatës terroriste Fetullah Gülen.

“Tentativa e FETO-s për grusht shteti synoi eliminimin me dhunë të rendit kushtetues demokratik në Turqi. Në këtë aspekt, vendi ynë ishte përballë me njërin nga kërcënimet më të hapura dhe të drejtpërdrejta, ndoshta më seriozin, që mund të ndeshë një shoqëri demokratike. Organet kompetente që venë në jetë sovranitetin në emër të popullit, të gjitha partitë politike që janë elemente të pazëvendësueshëm të shoqërisë demokratike, organizatat e shoqërisë civile, organet e shtypit dhe forcat e sigurisë që veprojnë me urdhrat dhe direktivat e autoritetit të ligjshëm demokratik, të gjithë këta realizuan së bashku rezistencën për sovranitet dhe demokraci”, tha ambasadori turk.

Kujtojmë se më 15 korrik shënohet përvjetori i dytë i tentativës për grusht shteti në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO, ku 251 policë, ushtarakë dhe civilë ranë dëshmorë dhe më shumë se 2000 të tjerë u plagosën.

Me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar” organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.