Prej nesër çmime më të ulta në roaming në rajon

Çmimet e shërbimeve në roaming mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe BeH-së, prej nesër do të zvogëlohen për 27 për qind, ndërsa prej korrikut të vitit 2021 do të hiqen tërësisht.

Marketing

Dinamika e zvogëlimit të çmimeve është në pajtim me Marrëveshjen e nënshkruar në Samitin e dytë digjital për Ballkanin Perëndimor, si parakusht për fillimin e procedurës për heqjen e roamingut ndaj Bashkimit Evropian.

Hulumtimi i Agjencisë për komunikime elektronike (AKE) i zbatuar nga 24 deri 31 të muajit të kaluar tregon se gati një e pesta e të anketuarve të cilët dinë se çka është roaming, kanë dëgjuar për marrëveshjen për roaming rajonal, me të cilin prej vitit 2014 janë zvogëluar çmimet mes Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe BeH-së. Ndaj kësaj iniciative rajonale vitin e kaluar janë përfshirë edhe Shqipëria dhe Kosova. Nga të anketuarit të cilët kanë dëgjuar për marrëveshjen, 16 për qind e kanë shfrytëzuar këtë volitshmëri. Gjysma e shfrytëzuesve të roamingut rajonal, megjithatë, vlerësojnë se ai është pak më i lirë, përcjellë KOHA.

Sipas të dhënave të AKE-së, në 12 muajt e fundit, 18 për qind nga popullata e shtetit ka shfrytëzuar roaming. Më shumë se një e katërta (27 për qind) nga shfrytëzuesit e roamingut informohen për çmimin për roaming në vendin adekuat. Roamingu më së shpeshti shfrytëzohet për dërgimin e SMS porosive – 78 për qind dhe për biseda 54,8 për qind, ndërsa internet në roaming kanë shfrytëzuar vetëm 18 për qind nga shfrytëzuesit e roamingut.

Hulumtimi i SRS-së, trup operativ i vendeve nga procesi për bashkëpunim në Evropën Juglindore, tregon se 70 për qind nga afaristët në Evropën Juglindore vlerësojnë se heqja e çmimeve të roamingut do t’i ndihmojë në nxitjen e tregtisë.

Roaming më të lirë pritet edhe në Greqi, që do të realizohet pasi të sigurohen kushtet e nevojshme për hyrje në fuqi të Memorandumit për bashkëpunim mes dy shteteve, për çka Maqedonia e Veriut veçmë ka parashtruar propozim dhe dinamikë.

Marketing