Prej sot filloi dogana digjitale në Maqedoninë e Veriut

Sistemi digjital për përpunim të deklaracioneve doganore dhe dokumenteve të akcizave (SOCDAD) filloi prej mbrëmë . SOCDAD është sistem i cili është në rang të sistemeve më bashkëkohore që shfrytëzohen nga ana e vendeve anëtare të BE-së, dhe me zbatimin e tij, vendi ynë është një hapë më përpara drejt përmbushjes së kërkesave për hyrje në BE, transmeton MIA.

Me implementimin e sistemit të ri, i cili paraqet parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të zgjidhjeve dhe shërbimeve digjitale, dukshëm se thjeshtësohet puna e të gjithë pjesëmarrësve në procedurën doganore dhe të jashtme-tregtare në ambient efikas dhe modern doganor. Procedurat doganore të cilat deri më tani u realizuan në letër do të zëvendësohen me procedura elektronike.

Për operatorët ekonomikë, ndërkaq, kjo do të thotë ulje e kohës së parashtrimit të deklaracioneve, thjeshtësim të proceseve dhe ulje të konsiderueshme të shpenzimeve. Të gjitha proceset janë të automatizuara me çka ulet mundësia për gabime njerëzore, si dhe rreziku nga veprime të palejueshme dhe korrupsioni. Deri në sistemin e ri, operatorët ekonomikë mund të kenë qasje përmes sistemeve të veta apo me shfrytëzimin e Portalit për tregtarë të Drejtorisë së doganave që është i kapshëm pa kompensim.

Të gjitha miratimet lidhur me procedurat doganore, siç është cekur në kumtesë nga Drejtoria e doganave, duhet paraprakisht të sigurohen në SOCDAD.