Prerje masive e drunjve në Tetovë, reagojnë aktivistët

Prerja masive e drunjve, dëmtimi i pyllit me hapje të traseve të gjera për makineri të rëndë dhe dëmtimi i lumit Shkumbin me qëllim ndërtimin e hidrocentraleve në Leshnicë të Tetovës, ka alarmuar shoqatat për mbrojtje të ambientit, të cilat të dielën do të marshojnë deri në Leshnicë të Malit Sharr, me qëllim ngritjen e vetëdijes për mbrojtje të ambientit.

Marketing

Një shkatërrim i pakontrolluar lirisht mund t`i themi. Kanë hapur rrugë të gjera sa për katër automjete të kalojnë. Qëllimi i prerjes masive të druve është hapja e terreneve për hidrocentrale. Dje kemi biseduar edhe me disa fshatarë dhe ndjehen të pafuqishëm në këtë këndvështrim – u shpreh Sadik Ibraimi, aktivist.

Shoqatat ndërkohë paralajmërohen edhe padi ndaj atyre të cilët në emër të ndërtimit të hidrocentraleve, shkatërrojnë natyrën.

Të dielën në mënyrë të organizuar do fillojmë nga teleferiku dhe shkohet drejt Leshnicës, që ta japim zërin e fundit dhe t`i tregojmë popullatës se ç`bëhet përmes video incizimeve dhe fotografive se si shkatërrohet edhe ajo perlë e bukur. Lumi është krejtësisht i tharë kohëve të fundit, pasi që, kanë tërhequr edhe damarët e fundit të lumenjve për t`i drejtuar drejtë hidrocentraleve pra bëhet një katastrofë e madhe që do e paguajmë shtrenjtë – tha Hamdi Sulemani, Nisma “Ta shpëtojmë kodrën e Diellit”.

Ne si Eco Guerilla por edhe organizata tjera të vendit që kryesisht punojnë në lëmin e drejtësisë po punojmë në krijimin e një platforme të përbashkët me çka do i adresojmë këto çështje edhe në mënyrë ligjore – u shpreh Arianit Xhaferi, shoqata ekologjike “Eco Guerilla”.

Nga Pyjet e Maqedonisë, këtë prerje masive të druve dhe hapjen e rrugëve të gjera nëpër malësi, e arsyetojnë me planin 2009-2018 që ka sjell pyjet e Maqedonisë për prerjen e një sasie më të madhe të druve.Alsat-m