Preshevari i mbijetoi masakrës së Dubravës, thotë se i shpëtoi shumë herë vdekjes (VIDEO)

Liburn Aliu, ishte vetëm 24 vjeç kur përjetoi ditët më të errëta të masakrës së Dubravës, nga 19-24 maji 1999.

Marketing

Më 17 janar të vitit 1997, si 21-vjeçar, ai ishte arrestuar nga Policia serbe si pjesëtar dhe aktivist i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).Maltretimet dhe torturat, si ato psikike dhe fizike, nuk i janë ndalur asnjëherë teksa mbahej në burgjet e serbe.

Në fund të prillit të vitit 1998, nga Burgu i Dubravës ai dërgohet për në Burgun e Mitrovicës së Sremit.

“Meqenëse isha arrestuar në vitin 1997 dhe ishim dënuar në atë vit, kishim kaluar nëpër burgje të ndryshme siç ka qenë Dubrava, gjatë muajve të parë të vitit 1998. Pastaj nga maji i vitit 1998 kemi qenë në Mitrovicën e Sremit me shumë shokë dhe kemi qëndruar aty deri në prillin e 1999, pra fillimi i bombardimeve të NATO-s na ka zënë në Burgun e Mitrovicës së Sremit…Me fillimin e bombardimeve kemi qenë diku 50 veta ku bashkë me ne ka qenë edhe profesori Ukshin Hoti”.Deri në fund të muajit prill të vitit 1999, ai ka qëndruar në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Pastaj, e dërguan në Burgun e Nishit.

“Fillimisht jemi transferuar në Burgun e Nishit ku kemi qëndruar tri ditë, me ç ’rast ndaj nesh është ushtruar një torturë për tre ditë rresht, dhe nga atje jemi transferuar për në Burgun e Dubravës. Mendoj që ka qenë 30 prilli data që kemi arrit në burgun e Dubravës”.

“Në ditët e para të Burgut të Dubravës kemi pa vetëm që kanë sjell të burgosur të rinj…Pra ato ditë burgu mbushej me të burgosur politik nga të gjitha burgjet. Brenda disa ditësh pothuajse të gjitha burgjet kanë qenë të mbushura. Pavioni ‘C’ ka pasur të burgosur politik para se të shkojmë ne por, me ta nuk kemi pasur kontakte deri në momentin që ka ndodhur masakra. Pas disa ditësh që të ndodhte masakra e Dubravës, më 16 maj është marr Ukshin Hoti dhe nuk dimë asgjë për të”, tha Aliu.Më 19 maj filluan dhe bombardimet e para të NATO-së në Burgun e Dubravës. Ishte ky fillimi i masakrave serbe ndaj të burgosurve të pambrojtur shqiptarë.

“19 maj ka qenë data kur ka ndodh sulmi i parë. Befas në këtë datë, pavijoni ‘C’ u bombardua nga NATO. I pamë gardianët të mbushur pluhur dhe duke ikur. Nga pavijoni tjetër erdhën të burgosurit tjerë dhe na kanë ndihmuar që ta hapnim derën. Pas pak kohësh kanë ardhë gardianët e burgut dhe na kanë paralajmëruar që mund të ketë sulme të tilla prapë. Nuk kanë qenë në ato momente agresiv. Nga aty i sollën tre trupa të burgosurve të vrarë të pavijonit ‘C’. Atë ditë dhe dy ditët në vijim kemi qëndruar në pavijonin ‘B’, për shkak se mund të bombardonin sërish”, vazhdon rrëfimin Aliu.

Marketing