Presidenca i përgjigjet Qeverisë: Presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët në politikën e jashtme

Zyra e Presidentit të Kosovës përmes një përgjigjeje zyrtare lidhur me deklaratat e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se presidenti duhej t’i raportonte Kuvendit para se të shkonte për vizitë në SHBA, ka thënë se Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme dhe që nga dhjetori i vitit 2019 i është kërkuar Kuvendit që të organizojë seancë, që presidenti t’i drejtohet deputetëve.

Marketing

Zyra e Presidentit ka theksuar se të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme i subordinohen presidentit dhe jo anasjelltas, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, të cilat kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues lidhur me propozimet e tyre.

“Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme. Si Zyre e Presidentit, në emër të presidentit Thaçi, qysh nga dhjetori i vitit 2019-të i kemi shprehur me shkrim gatishmëri Kuvendit, që presidenti t’i drejtohet deputetëve, por kjo seancë ende nuk është organizuar. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër, që presidenti kërkon t’u drejtohet deputetëve. Po ashtu, presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Ndërsa, lidhur me propozimet e Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për tërheqjen e disa ambasadorëve, Zyra e Presidentit ka thënë se deri më tash nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh, por emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është e drejtë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës së Kosovës.

“Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.