Presidencialet, Ademi: Kemi kandidat, cilësi dhe opsione

Partnerët e koalicionit qeverisës mbeten në qëndrimet se do të garojnë me kandidatët e tyre në presidenciale.

Marketing

Xhevat Ademi nga BDI siguron se kanë kandidat, cilësi, por edhe opsione deri në afatin përfundimtar, që nënkupton 30 ditë para mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve kur partitë do të duhet të vendosin për kandidatët e tyre.

“BDI ka një qëndrim të ndërtuar të kryesisë qendrore se do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe është e gatshme të garojë me kandidatin e vet, sepse ka edhe potencial, ka edhe vlera, ka edhe klimë të përshtatshme politike për të grumbulluar një sasi të madhe të votave shqiptare”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.

Deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, thotë se po presin emrat e kandidatëve të grumbulluar nëpër degët komunale të partisë. Ai deklaron se do të zgjedhin kandidatin e pranueshëm nga të gjithë qytetarët për t’i fituar zgjedhjet.

“LSDM nëpërmjet këtij procesi do të përzgjedh kandidatin i cili defakto do të jetë edhe president i shtetit, president i të gjithë qytetarëve dhe do të punojë për të mirën e Maqedonisë dhe të qytetarëve”,- tha Aleksandar Kiracovski nga LSDM.

Sikurse Ademi, ashtu edhe deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, siguron se koalicioni qeverisës po shkon mirë dhe nuk ka tabu tema dhe tema që nuk mund të zgjidhen. Ata thonë se në çdo qeveri koalicioni ka debate dhe polemika në kërkim të zgjidhjeve krahas qëndrime ndryshe që po respektohen.

Marketing