‘Presidencialet’, Zaev fton partitë për nominimin e kandidatit të përbashkët

Kryeministri, Zoran Zaev, nuk heq dorë nga gjetja e kandidatit konsensual për president.

Marketing

Zaev thotë se këtyre ditëve është në bisedime me të gjitha subjektet politike të koalicionit por edhe jashtë tij, ndërkohë që fton ato të kyçen në nominimin e kandidatit të përbashkët.

Kryeministri vlerëson se ka ende kohë për caktimin e kandidatit i cili do të mbështetet nga të gjithë qytetarët dhe do të punonte në interes të shtetit.

“Dua të theksoj nevojën e vetëdijes së shoqërisë sonë të shprehur nëpërmjet partive politike dhe t’i ftoj të gjithë që të bëjmë një analizë dhe të gjejmë një person, pas të cilit do të qëndronin të gjithë qytetarët, ai do të ishte një kandidat konsensual i vërtetë, i cili do të zbatojë politikat e jetesës moderne. Ftoj edhe BDI-në, Besën e Afrim Gashit, Besën e Bilall Kasamit, Aleancën, partitë turke dhe të gjitha partitë tjera më të vogla të mbledhim forcat në gjetjen e kandidatit konsensual”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Zaev akoma në hamendje për t’u mbajtur apo jo ato, duke pasur parasysh interesat shtetërore kundrejt atyre partiake.

“Dilema është midis dy opsioneve, të fitojmë edhe një mandat tjetër që të rekomandojmë reformat në ekonomi dhe përmirësimin e standardit jetësor, ose do të zgjedhim interesin shtetëror duke mos i dhënë kurrfarë alibi vendeve anëtare të BE-së, pasi që një pjesë e tyre janë kundër anëtarësimit, ndërkohë që Maqedonia po pret vendim pozitiv në Samitin e qershorit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

BDI kundërshton idenë e parakohshme parlamentare, përderisa nga VMRO–DPMNE vazhdojnë me kërkesat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe formimin e qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve.

Marketing