Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Reinhard Grindel, e ka pranuar se ka bërë gabime në mënyrën sesi e ka trajtuar situatën kontroverse te fotografisë së Mesut Ozilit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Mesfushori e konfirmoi pensionimin e tij nga Gjermania javën e kaluar pas 9 viteve si lojtar i Kombëtares gjermane, duke i akuzuar ata për racizëm dhe mosrespektim për shkak të fotografisë me Erdoganin e cila është bërë para Kupës së Botës.

29-vjeçari i ka mbrojtur takimet e tij me Erdoganin, i cili është i kritikuar në Gjermani për shkak të rritjes së autoritetit të tij çdo ditë e më shumë.

“Dorëheqja e Mesut Ozilit ka hapur një debat në lidhje me racizmin në përgjithësi dhe mundësinë për t’u integruar në futboll. Si president i DFB-së, nuk dua që të iki nga ky debat”, ka thënë Grindel.

“Në retrospektivë, unë, si president, është dashur që ta them pa mëdyshje për atë që është e qartë për mua dhe Federatën: çdo lloj forme e armiqësisë racore është e patolerueshme”.