Presidenti i La Ligës kundërshton klubet shtetërore: PSG-ja dhe Man City paraqesin problem të madh

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, thotë se klubet si Paris Saint-Germaini dhe Manchester City paraqesin problem të madh për futbollin evropian, tani që spekulimet për një Superligë Evropiane po vazhdojnë.

Marketing

Fillimisht, gazeta gjermane Der Spiegel i zbuloi, vitin e kaluar, bisedimet mes klubeve më të mëdha të kontinentit evropian për krijimin e një lige ku do të garonin vetëm ato, transmeton Gazeta Express.

Nëse këto bisedime do të rezultonin të suksesshme, struktura aktuale e futbollit evropian do të rrezikohej jashtëzakonisht shumë, pasi që ligat vendore dhe Liga e Kampionëve do t’i humbnin klubet më të mëdha të botës.

Këto bisedime filluan për shkak të dallimit të madh në mes të nivelit të këtyre klubeve dhe klubeve të tjera me të cilat ato përballet në ligat vendore. Megjithatë, klubet si PSG-ja dhe Manchester City e kanë ngritur nivelin e vet gjatë viteve të fundit në mënyrë drastike përmes mbështetjes së pronarëve miliarderë/

Dhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, thotë se ky fenomen paraqet një problem të madh dhe Evropa do të duhet ta adresojë këtë çështje gjatë viteve të ardhshme.

“Problemi i skuadrave si PSG-ja dhe Manchester City është problemi i madh i futbollit evropian. Pse? Sepse ata kanë kompani shtetërore që i mbështesin ata dhe nuk u intereson nëse humbasin para”, ka thënë Tebas.

“Klubet e tjera të mëdha – si Barcelona, Real Madridi e Bayern Munichu – tentojnë të mbeten në garë në mënyrë që lojtarët e tyre më të mirë të mos largohen”.

“Për këtë arsye vijnë idetë si Superliga Evropiane, që do të ishte një gabim i madh, dhe propozimet e tjera që do ta dëmtonin industrinë e futbollit në përgjithësi. Pastaj këto “klube shtetërore” ose ato që mbështeten nga miliarderë janë rreziku më i madh ndaj futbollit evropian”.

Një numër i klubeve janë dënuar nga UEFA për probleme financiare, që kur UEFA e nisi fushatën e ndershmërisë financiare, ku nuk lejohen shpenzimet e tepërta të klubeve. Milani së fundi është përjashtuar nga Liga e Evropës për këto arsye.

Në anën tjetër, Manchester City i shpëtoi një dënimi të tillë dhe vetëm u gjobit nga UEFA, ndërsa PSG-ja ka qenë nën hetime gjatë viteve të fundit.

“Ju duhet ta shikoni një shembull: Milani është përjashtuar nga garat evropiane e PSG-ja jo. UEFA duket se po bën gjithçka të mundur për t’i ndalur ato hetime. Sa i përket Manchester City, është folur për gjërat që kanë bërë ata”.

Marketing