Presidenti i Shqipërisë në Kosovë – mirënjohje për mbështetjen pas tërmetit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekoroi të mërkurën pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, policisë dhe institucioneve tjera të Kosovës që ndihmuan autoritetet në Shqipëri në përballjen me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Marketing

Presidenti Meta tha gjatë një ceremonie të mbajtur në ministinë e Mbrojtjes së Kosovës se në betejën me pasojat e tërmetit, Shqipëria gjeti mbështetje nga partnerët. Ai tha se Shqipëria do të jetë mirënjohëse çdo herë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe forcat tjera që ndihmuan në tejkalimin e pasojave të tërmetit.“Ky 28 nëntor na gjeti të bashkuar si asnjëherë më parë në historinë tonë për të përballur me pasojat katastrofike të tërmetit. Në këtë beteje të vërtetë Shqipëria nuk mbeti e vetme se partnerët bënë më të mirën e mundur për të na u gjetur pranë. Kosova ishte e para atje për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari. Ekipet ishin vetë fizikisht por edhe shpirtërisht. Populli shqiptar do t’u jetë mirënjohës Forcave të Sigurisë, ekipit për kërkim, policisë, emergjencave, njësisë së zjarrfikësve”, tha presidenti Meta.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj tha se Kosova do të jetë e gatshme çdo herë të ndihmojë Shqipërinë në tejkalimin e pasojave të tërmetit.

“Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha forcat me ushtrinë dhe policinë dhe emergjencat civile. Po të njëjtën ditë janë nisë zjarrfikësit, njësiti i Trepçës dhe i kërkim shpëtimit. Si qeveri kemi strehuar shumë qytetarë në parkun inovativ në Prizren dhe shumë qytetarë u kanë hapur dyert vëllezërve të tyre. Vetëm kjo Kosovë e lirë dhe e pavarur ka qenë e gatshme të ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri”, tha kryeministri Haradinaj.

Komandanti i Forcës së sigurisë së Kosovës, gjeneral Rrahman Rama, tha se forca e tij është krenare për kontributin e dhënë në Shqipëri.

“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë, siç bënë vëllai për vëllanë dhe Kosova po e dëshmon qe jemi të gatshëm të përkrahim të gjithë fqinjët tonë. Tragjedia e 26 nëntorit na ka prek të gjithëve por jemi ndjerë krenar me kontributin tonë dhe në çdo kohë e çdo moment ne do të jemi të gatshëm”, tha gjeneral Rama.Shqipëria po përballet me pasojat e tërmetit të javës së kaluar nga pasojat e të cilit humbën jetën më shumë se 50 qytetarë, qindra mbetën të plagosur dhe i cili pas vetes la dëme të rënda materiale.

Marketing