Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot në një shkrim në “Facebook”, ia ka ngatërruar vitin e lindjes humanistës shqiptare, Gonxhe Bojaxhiut.

Ai ka shkruar “110 vjet më parë u lind Gonxhe Bojaxhiu…”, por në realitet Bojaxhiu u lind 108 vjet më parë duke e marrë parasysh se jemi në vitin 2018.
Sipas biografisë viti i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut është 1910.

“110 vjet më parë u lind Gonxhe Bojaxhiu, gruaja e madhe shqiptare, që u bë misionare dhe humaniste në përmasa botërore – Nëna Tereze, e shpallur Shënjëtore nga Selia e Shenjtë, Vatikani. Ne mburremi me shpirtin human të Shën Terezes, me përkushtimin e saj për njerëzit pa mbështetje, në nevojë, për qeniet njerëzore që meritojnë dashuri dhe trajtim dinjitoz, pavarësisht gjendjes sociale dhe shëndetësore. Krenohemi që ishte bashkëkombase jona. Përvujtëria e Shën Terezës u bë vlerë universale e njerëzimit”, ka shkruar Thaçi.

Ipeshvia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, nisin “Ditët e Nënë Terezës”, që tradicionalisht mbahen nga sot dhe vazhdojnë deri më 5 shtator, në ditën e festës së saj.