Ambasadorja austriake në Maqedoni, Renate Kobler para anëtarëve të Komisionit Kuvendor për Çështjet Evropiane do të paraqesë programin dhe prioritetet për punën e Presidencës Austriake me Këshillin e Bashkimit Evropian, e cila filloi dje dhe do të zgjasë deri në dhjetor 2018.

Në seancën e Komisionit të ftuar janë koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe të korit diplomatik.

Austria dëshiron që ta mbajë fokusin e presidencës bullgare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Republika e Maqedonisë nga Këshilli Evropian ka marrë një afat kohor të saktë për fillimin e negociatave, qershor 2019, për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa në mes të muajt korrikut me vizitën e Komisarit të BE-së, Johanes Han do të fillojë zyrtarisht skriningu i institucioneve të Maqedonisë.

Presidenca gjashtëmujore e Austrisë me BE po zhvillohet në një moment të ndjeshëm duke pasur parasysh përfundimin e pritur të marrëveshjes për Bregzitin dhe Buxhetin e Bashkimit Evropian.

Austria do të kryesojë Unionin për herë të tretë. Herën e parë ishte në vitin 1998, dhe më pas në vitin 2006.

Motoja në të cilën do të organizohen aktivitetet është “Evropa që mbron” dhe prioritetet kryesore do të jenë emigrimet dhe çështjet e sigurisë dhe konkurrencës së BE-së, si dhe përafrimi i mëtejshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.